Trafikanti vlonjat, me emër kolumbian, ka pajtuar për ta mbrojtur në megaprocesin që vijon në Belgjikë, një prej avokateve më të njohura në këtë shtet.

Duke qenë se bëhet fjalë për një proces me qindra të pandehur, në Belgjikë duket se është krijuar ideja se me arrestimin dhe të çuarit para drejtësisë të këtij grupi të madh personash, do të qetësohet vendi nga krimi. Por mbrojtësja e vlonjatit që konsiderohet edhe si ‘koka’ e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt porteve të vendeve të Bashkimit Europian, hedh një këndvështrim profesionist mbi çka përbëjnë këta persona.

Ajo mohon që ata, pra shqiptarët e arrestuar dhe të akuzuar si kapo grupesh të krimit të organizuar të jenë miliarderë. Ajo thotë se miliarderët janë në Tiranë dhe madje i lidh edhe me politikën. Por për më tepër avokatja lë të kuptohet se këto lidhje do të zbulohen në seancën tjetër të gjyqit ndaj grupeve të akuzuar pas hapjes së bisedave në ‘Encro’ dhe ‘Sky’!

AVOKATJA BELGE

Maître Nathalie Gallant është një nga avokatet më të njohura në Belgjikë. Ajo mbron Eridan Munoz Guerreron, “peshkun” e madh në gjyqin “SKY EÇ – ENCRO”, një biznesmen 51-vjeçar nga Vlora i akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine. Në një intervistë për “Moustique & La Libre” ajo flet për gjyqin me 128 të pandehur, pastrimin e parave në Tiranë dhe lidhjet me politikën në Shqipëri. Ajo është pyetur dhe për sekuestrimin e një hoteli apo një skafi në Shqipëri, duke i quajtur si sekuestrime ende larg kullave miliarda euro në Tiranë.

A ka evoluar struktura hierarkike e organizatave kriminale?

Gallant: Ne shohim se në gjykimin aktual të “Enco” dhe “Sky EÇ”, ka rreth dhjetë menaxherë. E cila, në vetvete, tregon se sistemi piramidal, me një bos në krye, është një model krejtësisht i vjetruar. Të jesh “lider” në përgjithësi do të thotë të kesh kapacitet vendimmarrës. Në nivelin e tij.

Nga ky këndvështrim, mund të kesh një menaxher korrupsioni brenda portit, i ngarkuar me gjetjen e doganierëve për të dhënë ryshfet. Mund të kesh një menaxher që ka kapacitetin të krijojë ose që ka kontaktet që të mund të krijojë kompani për t’i dhënë pamje legale importit të lëndëve narkotike. Të gjithë këta persona konsiderohen se kanë një rol drejtues, pasi me forcën e rrethanave japin udhëzime, punësojnë staf. Nuk është aq shumë e dukshme se ata nuk janë përgjegjës më lart. Është më shumë e rëndësishme se ka njerëz që janë përgjegjës para tyre. Kaq mjafton për t’i bërë liderë në kuptimin e ligjit për organizatat kriminale që nga vitit 1999″!

Ju flisni për një piramidë… Në çfarë kati jemi ne në këtë gjyq të “Encro”? Disa elementë – një hotel i shkretë, një varkë e shkretë, etj. – sugjerojnë se nuk jemi në prag të sundimit të krimit?

Gallant: Jemi në fakt larg kullave 3 miliardë euroshe në Tiranë. Ky është një lloj problemi. Ose më mirë vetë problemi. Ky gjykim është disi joproporcional nga mjetet e përdorura, nga numri i të pandehurve. Kjo provë gjyqi si “Encro”, të lë përshtypjen se duket sikur duhet të japim një shembull. Ndërsa flasim për dhjetëra kilogramë kokainë, apo, ndonjëherë, edhe qindra kilogramë.

Edhe nëse vetë malli vlen dhjetëra miliona, ata që po gjykohen këtu nuk janë miliarderë. Janë larg, andej! Vetëm shikoni kërkesat e prokurorit federal për konfiskim. Një milion euro konfiskohen si objekt pastrimi parash. Çdo muaj e gjej veten në gjyqe për çështje marrëzie financiare “belgo-belge”, ku kemi pastrim parash për shuma shumë më të mëdha se sa kaq.

Ka një tjetër gjyq më 8 prill për fakte të ngjashme, çfarë është konkretisht?

Gallant: Ai gjyq do të përfshijë një tjetër organizatë kriminale shqiptare, e cila ka disa mbivendosje me “Encro”, pasi në mënyrë të veçantë njëri ose tjetri është i akuzuar në të dy proceset. Nëse shohim atje, ne duket se kemi ende lidhje në nivele shumë më të larta, për sa i përket kontakteve politike në Shqipëri dhe riinvestimit të përfitimeve të mundshme nga aktivitetet ilegale.

Pra, do të mbroni dikë gjatë këtij gjyqi?

Gallant: Po…

Dhe nuk mund të flisni për të?

Gallant: Zakonisht pjesën e parë të argumenteve të mia të mbrojtjes ia lë gjithnjë gjykatës!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re