U arratisën me një litar nga një apartament në katin e dytë të një ndërtese në rrugën “Giuseppe Berneri” ndërsa pronari ishte me pushime në provincën e Pizës. Ngjarja ka ndodhur mes të mërkurës 1 dhe të enjtes 2 shtator. Karabinierët i dhanë fund arratisjes së dy hajdutëve që sapo kishin grabitur një shtëpi në zonën e Torre Spaccata dhe i arrestuan ata.
Bëhet fjalë për dy shtetas shqiptarë, 23 dhe 30 vjeç, pa vendqëndrim fiks dhe me precedentë, të cilët përfunduan në pranga për vjedhje. Dy hajdutët akrobatë arritën të futen brenda shtëpisë, në të cilën në atë moment nuk ishte askush, pasi u ngjitën në tarracë dhe hapën me forcë grilat.
Pasi hynë në apartament, ata e përmbysën atë, duke marrë disa sende me vlerë.
Në arratisje, qëllimi i të dyve ishte zbritja nga ballkoni, me një litar të gjatë 25 metra të lidhur në kangjella. Një fqinj dha alarmin duke telefonuar 112 dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga policia, e cila vuri re dy të panjohur, veprimet e të cilëve ngjallën dyshime.
Kur mbërritën forcat e policisë në vend, njëri ishte duke zbritur, ndërsa bashkëpunëtori ishte bllokuar brenda shtëpisë. Me marrjen e telefonatës, karabinierët mbërritën në vend në një kohë të shkurtër, dhe bllokuan 30-vjeçarin ndërsa ai ishte duke zbritur me litar, duke u përpjekur më kot të kundërshtonte arrestimin duke u përpjekur të çlirohej për të ikur.
Nga ana tjetër, 22-vjeçari u bllokua në tarracën e shtëpisë ku efektivët arritën të ngjiteshin, me shkallët e zjarrfikësve, të cilët ndërhyn për të mbështetur operacionin.
Pasi të dy u arrestuan, forcat e policisë gjetën objektet e vjedhura në posedim të tyre dhe konfiskuan dy çantat e shpinës të të arrestuarve. Sendet e grabitura i janë kthyer pronarit.