Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me zbulimin e bazës së armatimeve në Sukth të Durrësit. Sipas gazetares së News24,  Klodiana Lala kjo bazë dyshohet se i përket grupit kriminal të Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremit, i njohur si ‘Rrumi’. Ky i fundit është përfshirë në disa ngjarje.

Si rezultat i operacionit “Hills”, në Sukth, u zbulua një bazë, ku mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale.

Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme.

Operacioni u përshëndet edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se Policia po godet çdo ditë fenomenin e armëmbajtjes pa leje.

“Policia e Shtetit po godet çdo ditë fenomenin e armëmbajtjes pa leje. Përgëzime Drejtorive Vendore Durrës dhe Tiranë për goditjen e një tjetër baze që shërbente për furnizimin me armë zjarri të grupeve kriminale dhe të një rrjeti trafiku armësh zjarri. Goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo arrestimi i shtetasve që qarkullojnë me armë janë detyrë kryesore e Policisë”, shkruan ministri.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re