Gjykata e shkallës së parë në Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Luciano Deraj alias Albano Deraj, i arrestuar tre ditë më parë në Babicë të Vlorës.

Në banesën e Derajt policia gjeti një arsenal armatimesh të ndryshme. Luciano Deraj, u arrestua si pjesë e operacionit “Knock out 6” ku në të u angazhuan krahas policisë së Vlorës dhe forcat Renea.

Deraj mësohet se përgjatë seancës gjyqësore nuk ka folur fare, duke mos dhënë asnjë reagim, përveç pyetjeve të drejtuara nga relatorja e kësaj seance.

DYSHIMI

Sipas të dhënave të grupit hetimor snajper i gjetur në depon e armatimit që u zbulua në fshatin Babicë të Vlorës, dyshohet se është përdorur për ekzekutimin e Gëzim Sinomatit më 7 janar. Sinomati u qëlluam me një plumb më kokë, ndërsa policia nuk ka arritur që të gjejë armën e krimit. Ekspertët dyshojnë se ky snajper i zbuluar në bazën e armatimeve është përdorur për vrasjen e tij, ndërsa në mjetin e djegur që u gjet pas ekzekutimit asokohe u gjet edhe një bllok betoni që dyshohej se ishte vendosur për të mbajtur snajperin.

Luçiano (Albano) Deraj, i arrestuar gjatë aksionit të djeshëm, ka refuzuar që të flasë para efektivëve të Policisë së Vlorës, duke mos treguar detaje për origjinën e armëve dhe me çfarë grupesh kriminale ka lidhje. Por sipas dyshimeve mësohet se Deraj bashkëvepronte me disa grupe kriminale në Vlorë, Fier dhe qytete të tjera.

Baza e armatimeve dyshohet se është përdorur apo do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale, ndërsa të gjitha armët dhe pajisjet e sekuestruara do t’i nënshtrohen një ekspertize balistike, për të rënë në gjurmët e personave të tjerë të përfshirë si dhe të verifikohet nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale, përfshirë këtu edhe në vrasjen e Sinomatit. Siç shihet nga pamjet e shpërndara nga policia, banesa dykatëshe survejohet nga kamera sigurie.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re