Policia e Durrësit ka zbuluar tetë miniparcela (gjithsej 1200 bimë narkotike kanabis).
Njoftimi i policisë
Durrës
Finalizohet pas 1 muaj hetimesh me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Lekaj”.
Operacioni, nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Durrës, në drejtimin e Prokurorisë se Durrësit.
Kishin kultivuar bimë Cannabisi në 8 miniparcela (gjithsej 1200 bimë), vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 20000 euro, 1000 fara Cannabisi, 1 armë sportive, municion dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pas një hetimi njëmujor, me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Lekaj”, u kapën në flagrancë 2 shtetas, të cilët kishin kultivuar 1200 bimë narkotike në 8 miniparcela në kodrat e fshatit Lekaj (pranë depos së ujit të këtij fshati).
Konkretisht, u vunë në pranga shtetasit D. M., 59 vjeç, banues në fshatin Lekaj dhe A. H., 36 vjeç, banues në fshatin Donofrosë, Berat. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K. dhe E. K., për të cilët, për shkak të hetimit, nuk jepen të dhëna të tjera.
Në kuadër të këtij operacionit u kryen kontrolle në disa banesa dhe ambiente, prej të cilave u sekuestruan 20000 euro, 1000 fara Cannabisi, 1 armë sportive, municion dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Gjithashtu, u sekuestrua me cilësinë e provës materiale një pjesë e bimëve narkotike, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.
Po punohet me intensitet të lartë, për të kapur shtetasit e shpallur në kërkim, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme