Pjesë e skemave abuzive janë mjekët. Ka raste kur edhe pacientët që kanë ndërruar jetë, kodet e tyre rezultojnë se tërheqin medikamentet në farmaci të ndryshme në vend.
Nga auditimet e kryera në mënyrë rastësore në disa Qendra shëndetësore, janë vërtetuar të paktën 61 receta me barna të rimbursueshme që janë ekzekutuar në farmaci.
Inside Story disponon edhe emrat konkretë të pacientëve por për arsye etike nuk mund të bëhen publike pasi fjala është për persona që kanë ndërruar jetë prej kohësh.
Dëmi për këto receta konsiderohet i vogël, rreth 370 mijë lekë të reja. Por, mendohet se dëmi real mund të jetë shumë më i madh nëse auditohen të tjerë mjekë lëshues të recetave. Kjo, përbën një skemë që është zbuluar edhe më herët duke zhvatur miliona lekë nga privatët.
Nga analizat e detajuara në nivel recete ka rezultuar që në disa raste data e ekzekutimit të recetës është pas datës që pacienti ka ndërruar jetë, duke sjellë përfitim të padrejtë të rimbursimit, gjithsej në 61 raste.
Duhet të sqarojmë se mjekët kanë të drejtë të lëshojnë receta të rimbursueshme për një pacient për një periudhë trajtimi deri në 3 muaj.Pas hedhjes së recetës në sistem ka 7 ditë kohë për t’u ekzekutuar në farmacitë me kontratë me Fondin. Pas afatit, receta fshihet nga sistemi.
“Mjeku i familjes ka disa kufizime që nuk mund të kalojë një sasi të caktuar të barnave të rimbursueshme të alternativave më të mirë dhe të ndodhur në këtë presion ata janë të detyruar tu japin pacientëve alternativat më të lira dhe kjo ka krijuar jo vetëm konflikt mjek pacient por edhe varfërimin e pacientëve të cilët duhet të shtojnë para për të blerë alternativat më të mira“, u shpreh Eglantina Bardhi, Shoqata “Together for Life”.