Policia ka vijuar operacionin e koduar “Vakumi”, teksa si rezultat i kontrolleve në fshatrat Rrabosht dhe Gocaj, u zbuluan dy sera me gjithsej 1,640 fidanë dhe bimë të kanabisit dhe u vunë në pranga 3 persona.

Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas: Gj. Gj. (46 vjeç), A. Ç. (33 vjeç) dhe P. N. (31 vjeç). Dy të tjerë, A. B. (40 vjeç) dhe M. D. (31 vjeç), janë shpallur në kërkim.

Dyshohet se të gjithë ishin të përfshirë në kultivimin, prodhimin dhe shitjen e kanabisit, në bashkëpunim me persona të tjerë të kapur një ditë më parë me 34 kg kanabis.

Gjatë operacionit u sekuestruan 7 automjete, 7 celularë dhe një pjesë e lëndës narkotike, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e të përfshirëve të tjerë, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Vijon operacioni i koduar “Vakumi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i hetimeve me metoda proaktive dhe i kontrolleve, zbulohen në fshatrat Rrabosht dhe Gocaj, 2 sera në të cilat ishin kultivuar 1 640 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa.

Vihen në pranga 3 shtetas që u kapën në flagrancë në sera. Shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas bashkëpunonin me 2 shtetasit që u konstatuan një ditë më parë, duke transportuar rreth 34 kg kanabis, për kultivimin, prodhimin dhe shitjen e kanabisit.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, dhe me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të DVP Lezhë, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në vijim të operacionit të koduar “Vakumi”, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

Gj. Gj., 46 vjeç, banues në fshatin Rabosht, A. Ç., 33 vjeç, banues në fshatin Balldre dhe P. N., 31 vjeç, banues në fshatin Ungrej.

Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasit A. B., 40 vjeç, banues në fshatin Rabosht dhe M. D., 31 vjeç, banues në fshatin Ungrej.

Bazuar në informacionet e siguruara nga hetimet, shërbimet e Policisë kanë ushtuar kontroll në territoret e fshatrave Rrabosht, njësia administrative Kallmet, dhe Gocaj, njësia administrative Balldre, ku kanë zbuluar 2 sera në të cilat ishin kultivuar në total, në tokë dhe në vazo, 1 640 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa. Një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.

Gjithashtu, u sekuestruan 7 automjete dhe 7 celularë, që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasve që janë shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko