Zbulohet dosja kundër ish-deputetit Murrizi: Mijëra euro transaksione, biznese dhe llogari bankare

Murrizi-300x180.png

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Policia e Shtetit ka dërguar për hetim ish-deputetin Myslim Murrizi me akuzën për dy vepra penale. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Policia e Shtetit i ka dërguar ditën e sotme prokurorisë së Tiranës një kallëzim penal për ish-deputetin Myslim Murrizi, i cili dyshohet për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.

Në referimin që disponon “BalkanWeb” thuhet se në vitin 2006 shtetasi Myslim Murrizi rezulton të jetë dënuar nga Apeli i Durrësit me 3 vite burgim për mitmarrje, që është konvertuar në shërbim prove. Një vit më vonë, në 2007 Gjykata e Lartë e ka pushuar çështjen penale me argumentin se fakti nuk parashikohet si vepër penale.

Sipas kallëzimit, thuhet se Murrizi, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka përfituar në forma joligjore në kohën që ushtronte funksionin e zyrtarit të lartë në KLSH duke investuar para të pista në blerjen e pasurive të paluajtshme. Myslim Murrizi si dhe familjarët e tij, vetë ose nëpërmjet subjekteve tregtare kanë kryer transkasione të shumta dhe të dyshimta në disa nga bankat tregtare që operojnë në vendin tonë.

Si e ka kryer veprën penale murrizi sipas policisë?

Janë pafund shoqëri tregtare, por edhe numra të llogarive bankare. Në qershor 2007-shtator 2008, sipas referimit rezulton se janë depozituar apo transferuar nga një llogari tjetër e Myslim Murrizit brenda bankës, në një nga bankat e nivelit të dytë në total 249 751 euro, të cilat 248 mijë e 710 janë mbajtur cash nga ana e z. Murrizi. Ndërkohë në vitin 2010 ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, i zgjedhur fillimisht në siglën e PD-së ka depozituar cash në llogarinë e shoqërisë ‘Murrizi 2009’, 60 mijë euro. Sipas referimit të Policisë së Shtetit bërë në prokurori, rezulton se sipas tyre ka gjasa që kjo shumë nuk është deklaruar në institucionin e lartë të deklarimit dhe kontrollit të pasurive apo konfliktit të interesave. Sipas ligjit, z. Murrizi në momentin që ka marrë mandatin e deputetit duhet ta deklaronte këtë shumë. Ai rezulton të jetë aksioner në disa shoqëri, përfshirë edhe shoqëri mediatike dhe universitare si dhe shoqëri ndërtimi, por duke qenë se nuk është aksioner në masën 100% dhe ka edhe persona të tjerë që nuk kanë aspak lidhje me dyshimet për aktivitet kriminal, News24 do të bëjë të ditura hap pas hapi të gjithë rezultatet që do të dalin nga ky hetim.

A është regjistruar çështja penale?

Sot ka mbërritur materiali në Prokurorinë e Tiranës. Akoma nuk ka një regjistrim të procedimit penal sepse sipas ligjit, Prokuroria do duhet ta studiojë paraprakisht materialin dhe më pas të vendosë për regjistrimin e procedimit penal. Por sa herë Policia e Shtetit ka kërkuar hetimin e cilitdo, jo vetëm zyrtar, prokuroria është e detyruar konform ligjit ta regjistrojë. Në këtë rast z. Murrizi akuzohet për dy vepra penale, fshehje e pasurisë dhe pastrim i produkteve të veprës penale dhe duhet parë nëse kjo çështje do të mbahet nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Kjo, pasi dyshohet se z. Murrizi e ka fshehur pasurinë në kohën që ishte deputet, nuk e ka deklaruar të paktën në masën e 60 mijë eurove dhe nga ana tjetër ka kryer dhjetëra transaksione dhe hetimi mund t’i kalojë dhe Prokurorisë së Posaçme./ BW

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë