Ngjarja e dytë e bujshme me të njëjtën mënyrë operimi kishte çuar policinë në gjurmët e autorëve.

Kjo, ishte kuptuar edhe nga grabitësit referuar transkripteve të bisedave telefonike mes tyre. Në këtë bisedë, Sulejman Bakalli është përgjuar teksa i thotë njërit prej shokëve të ketë kujdes policinë.

Në 28 Prill të vitit 2009, banda “Hijet e Natës” ka realizuar një prej grabitjeve më spektakolare që njihen deri më sot, e denjë për skenar filmash. Ata arritën të dalin nga banesa e biznesmenit Ilirian Çela me 340 mijë euro, 5 mijë paundë dhe 13.4 milionë lekë të reja. Pra, në total rreth 500 milionë lekë të vjetra. Grupi, dinte me saktësi se në atë banesë pranë Ministrisë së Drejtësisë do të gjente shuma të mëdha parash. Dëshmitë zbulojnë se kanë pasur informator të brendshëm.

“Ka një fenomen në zhvillim që për fat të keq përkeqson situatën e rendit e sigurisë për paratë e personave, sidomos për ata që i mbajnë në shtëpi, i mbajnë të fshehura, nuk i kanë deklaruar, nuk i fusin në sistem bankar, këta janë bërë target. Këta janë të rrezikuar” u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

“Grupi kishte zhvilluar formë të mbledhjes së të dhënave që rezultoi e suskesshme, atij që i themi njeri i brendshëm” u shpreh eksperti i sigurisë, Fabian Zhilla, për Top Channel.

“Është shumë e rëndësishme që policia të analizojë bisedat telefonike, kontaktet. Është shumë e rëndësishme. Po ashtu, për këto grupe që futen për të vjedhur biznese, është e rëndësishme që të kesh informacion për punonjësit e mëparshëm dhe njerëzit që janë marrë me instalimin e kasafortave” u shpreh Oscar Ruiz Barba, Policia Kombëtare e Spanjës.

Natën e ngjarjes, biznesmeni Çela kishte qenë jashtë shtetit dhe në banesë nuk ndodhej askush. Por, rreth orës 5:10 të mëngjesit, një fqinje përmes një mesazhi i shkruante: “Ju lutemi, lërini punët për një orar tjetër se po na zgjoni fëmijët”. Pra, grabitësit kishin punuar me sende të forta për të shqyer kasafortën nga muri.

Ata e dinin me saktësi se biznesmeni kishte të gjithë katin e fundit të pallatit. Ai kat, ishte i bllokuar me kasa hekuri dhe askush nuk mund të ngjitej sipër. Por, autorët e dinin me saktësi dhe kishin marrë pajisje për të shkrirë hekurin me oksigjen. Admir Burri i cili ishte sërish transportuesi, ka rrëfyer se në grabitje morën pjesë Saimir Kuçi, Fatjon Lika dhe Sulejman Bakalli. Kasaforta u hap pikërisht në banesën e këtij të fundit.

“Unë futa makinën brenda, e ulën kasafortën me Sulen pasi mua nuk me lejonin ta prekja pasi isha pa doreza. Kur dola më premtuan se sa të jenë do ti ndajmë në mënyrë të barabartë për katër. Fatjoni erdhi më takoi përsëri tek Inxhinieria e Ndërtimit dhe më tha që kishte mirë… I hoqëm pjesën personit që na tregoi vendin, dhe na këto që të takojnë ty. Mua më dha 20.000 Euro.”

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re