Mësohet objekti i ardhjes në Tiranë të agjentëve të DEA-s pas kapjes së 1 ton kokainë në Spanjë dhe arrestimit të dy shqiptarëve, që akuzohen si blerësit e kokainës.

Një prej të arrestuarve që rezultonte të ishte Dritan Gradica, në fakt ishte një identitet i vjedhur.

Sipas burimeve nga organet e sigurisë, personi që mbante identitetin e Gradicës është Arjan Ndoci, një prej personave të njohur në Tiranë si biznesmenë të fuqishëm në fushën e ndërtimtarisë dhe tregëtisë me pakicë.

Qarqe në Tiranë theksojnë se Arjan Ndoci është vëllai i një prej pronarëve të një nga qendrat tregtare më të rëndësishme në kryeqytet, ndodhur te Zogu i Zi.

Por asgjë nuk mbaron këtu. Pasi gjithnjë sipas burimeve të rëndësishme, amerikanët e DEA-s dyshojnë se ka një lidhje organike të rrjetit që solli në Shqipëri gjysmë tonin e kokainës që u kap në Maminas me 1-tonëshin e sekuestruar në Spanjë.

Hetimet po çojnë drejt një rezultante të përbashkët.

Investigimi ka nisur prej dy vjetësh dhe tani thjesht po korren rezultatet në bazë të metodave speciale të hetimit siç janë përgjimet dhe infiltrimet brenda strukturës së këtij grupi që mendohet se është shumë i fortë.

DEA dhe Europol-i ka të dhëna se futja e bandave shqiptare të trafikimit të hashashit dhe heroinës në Europë në rrjetin e kokianës, ka ardhur vetëm pas financimit me sasi marramendëse parash për të blerë kokainën në Amerikën Latine, e cila kushton shumë shtrenjtë.

Prej kohësh, DEA insistonte se koka e narkotrafikut është në Shqipëri dhe në Europë janë thjesht ushtarët e tyre.

Personat e arrestuar dy ditë më parë konsiderohen realisht “peshq të mëdhenj” dhe ka shumë gjasa që të ketë zhvillime shumë të rëndësishme në ditët që vijnë.

Bëhet fjalë për bastisje dhe arrestime të të gjithë rrjetit që të arrestuarit në Spanjë kanë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Policia shqiptare ka nisur hetimet dhe ka kërkuar në Prokurori mandate për përgjime dhe kontrolle banesazh dhe ambjentesh private, që pritet të kryehen me anë të operacioneve të përqëndruara të trupave RENEA.

Ndërkaq, një anë tjetër e këtij operacioni janë padyshim asetet e investruara nga ky rrjet dhe tërë të mirat material që zotërojnë.

Ky do të jetë hapi i dytë dhe i vështirë…

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re