Gjatë 24 orëve të fundit, janë shtruar te Spitali Infektiv edhe katër pacientë të tjerë të infektuar me koronavirus. Burime bëjnë me dije për “News24” se katër pacientët e shtruar orët e fundit i përkasin dy vatrave të nxehta aktualisht në Krujë dhe Shkodër.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme është zbuluar një tjetër vatër e infeksionit në një kompani këpucësh në Tiranë.

Burime nga ISHP thanë se nga analizat e para laboratorike janë tre punonjës të prekur nga COVID, porse ka dyshime të forta se numri i të infektuarve është më i lartë.

Burime nga ISHP konfirmojnë se ka nisur prej ditës së djeshme hetimi epidemiologjik që do të nxjerrë shtrirjen e infeksionit viral brenda stafit të kompanisë fasone, që numëron disa qindra punonjës.

Deri atëherë aktiviteti në fasonerinë e këpucëve, që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, do të qëndrojë pjesërisht i bllokuar.

Kjo është vatra e dytë e nxehtë e përhapjes së koronavirusit brenda sipërmarrjeve fasone në Shqipëri, pas rastit të Krujës, ku në pak ditë u raportuan 100 të infektuar direkt ose indirekt.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re