Para 2 muajsh, kryeministri Rama inaguroi studion të re të televizionit të tij, ERTV, e cila u shërben ministrave dhe deputetëve për të komunikuar me publikun. Por, kurioziteti më i madh i teleshikuesve të televizionit kryeministror është se si quhet gazetari, i cili u drejton pyetje të ftuarve.

Ndonëse, vetë gazetari nuk është shfaqur asnjëherë publikisht, Politiko.al ka mësuar se ai quhet Alteo Hysi dhe e ka nisur karrierën tek emisioni Opinion, ku ka marrë këshillat e para të gazetarisë nga Blendi Fevziu dhe Desada Metaj. Sa i përket emisionit, zgjedhja e të ftuarve nuk është rastësore. Përkundrazi, në emision ftohen ato ministra apo deputet, të cilët kanë në qendër të vëmendjes nga mediat dhe opinioni publik.

Duke u bazuar në intervistat e deri tanishme të Taulant Ballës, Lindita Nikollës apo Ulsi Manjas, vërehet se pyetjet që gazetari u bën të ftuarve duken të mirë-përgatitura, ashtu si përgjigjet e të ftuarve që janë të mirë-menduara, të mbushura me fakte dhe për të ‘tingëlluar’ sa më bindëse në sytë e opinionit publik.

Nga ana tjetër, duket se stafi i kryeministrit është kujdesur deri në detaje për televizionin e kryeministrit, që nga logoja kuqezi, tek arredimi i studios ku bie në sy ngjyra e bardhë, tek ndriçimi ultra-modern deri tek tavolina e xhamit që gjendet në mes të studios në të cilën janë futur gazeta, për të përcjellë mesazhin te ERTV do të jetë një stacion ndryshe nga të tjerët. /Politiko.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re