Policia indoneziane, ka dhene njoftimin se gati 10 000 pasagjerë të linjave ajrore, mund të jenë testuar për koronavirus me tamponë të përdorur.

Pesë punonjës për kompaninë e madhe farmaceutike indoneziane “Kimia Farma” u arrestuan më 27 prill, me akuzën se kishin larë dhe ripaketuar mjetet e shpejta të testimit për Covid-19, duke i përdorur ato tek udhëtarët në Aeroportin Ndërkombëtar “Kualanamu”.

Indonezia, ka përjetuar një nga shpërthimet më të këqija të Covid-it në Azi. Për shkak të kësaj situate, kërkohet që të gjithë pasagjerët, përpara fluturimeve, të dëshmojnë një test negativ të koronavirusit.

Sipas policisë, dyshohet se mashtrimi në fjalë mund të ketë zgjatur rreth katër muaj, dhe se çdo ditë të jenë testuar nga 50 deri në 100 klientë. Të dyshuarit në këtë skemë mashtrimi, shpjegon policia, kishin role të ndryshme, nga larja e tamponëve të përdorur të pambukut, te ripaketimi i produkteve dhe dërgimi i mostrave në laborator.

Dy avokatë që fluturonin vazhdimisht përmes këtij aeroporti, planifikojnë të fillojnë një padi civile kolektive, kundër kompanisë për të dëmshpërblyer me 69 000 dollarë çdo pasagjer të prekur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re