Sheqeri, është një temë e nxehtë në botën e të ushqyerit, dhe për arsye të fortë: Konsumimi i sheqerit në masë globale  është rritur me mbi 24 milionë tonë metrikë që nga viti 2010, dhe vlerësohet se mesatarisht një amerikan konsumon mbi 17 lugë çaji sheqer të shtuar çdo ditë!

Efektet e sheqerit në fusha të ndryshme të shëndetit tuaj mund të jenë befasuese, por lidhja midis konsumit të sheqerit dhe shëndetit të trurit është veçanërisht e rëndësishme për t’u studiuar.

Lidhja midis sheqerit dhe funksionit të trurit

Të kuptuarit se si sheqeri ndikon në trurin e njeriut është një hap i rëndësishëm në  zgjedhjet tona të informuara dietike. Truri ynë në fakt kërkon sheqer, veçanërisht glukozë, për të funksionuar.

Glukoza është një lloj sheqeri që shërben si burimi kryesor i energjisë për qelizat tona të trurit. Ushqimi që konsumojmë ndahet në metabolitë, si glukoza, që transportohen nga trupi për të ushqyer funksione të ndryshme njohëse, duke përfshirë të menduarit, kujtesën dhe vendimmarrjen.

Truri ynë është në gjendje ta marrë këtë glukozë nga ushqimet që hamë, duke përfshirë ato që gjenden në drithërat, frutat dhe perimet. Një marrje e tepërt e sheqernave të shtuara, ato që nuk gjenden natyrshëm në ushqime si frutat dhe perimet, mund të ndikojë negativisht në funksionin e trurit.

Hulumtimet e Neuroshkencës tregojnë se, përmes një kombinimi të reaksioneve biokimike dhe rrugëve të ndërlikuara të sinjalizimit, sheqeri i tepërt mund të ndikojë në kujtesë, disponimin dhe përqendrimin, dhe madje të çojë në inflamacion në tru. Ngrënia e tepërt e sheqerit ka fuqinë të ndikojë në funksionin tonë njohës, të ndikojë në dëshirat tona dhe madje të kontribuojë në shfaqjen e problemeve neurologjike. Kuptimi i kësaj marrëdhënieje është çelësi për marrjen e vendimeve të informuara në lidhje me zgjedhjet tona dietike.

4 mënyra se si sheqeri ndikon negativisht në tru

Këtu janë katër mënyra se si sheqeri mund të ndikojë negativisht në tru:

1) Mund të ndikojë në funksionin njohës

Hulumtimet sugjerojnë se konsumimi i tepërt i sheqerit mund të ketë efekte të dëmshme në kujtesë dhe në aftësitë e të mësuarit. Marrja e lartë e sheqerit është shoqëruar me dëmtim të plasticitetit sinaptik, ose procesit me të cilin lidhjet midis qelizave të trurit forcohen ose dobësohen në përgjigje të përvojave të të mësuarit. Kjo, nga ana tjetër, mund të komprometojë aftësinë tonë për të ruajtur informacionin dhe për t’u përshtatur me sfidat e reja.

Hulumtimet kanë nxjerrë në pah gjithashtu lidhjen e mundshme midis niveleve të larta të sheqerit në gjak dhe aftësive njohëse me kalimin e viteve. Nivelet e larta të sheqerit në gjak, të cilat mund të shkaktohen nga marrja e tepërt e sheqernave të shtuara, ndër faktorë të tjerë, mund të rrisë rrezikun e diabetit të tipit 2, i cili nga ana tjetër shoqërohet me një rrezik në rritje të dëmtimit të kujtesës.

2) Mund të ndikojë në humorin tuaj dhe shëndetin mendor

Ndikimi i sheqerit në shëndetin mendor është kompleks për tu zbërthyer. Ndërsa konsumi i sheqerit mund të sigurojë një ngritje të përkohshme të humorit për shkak të efektit të tij në nivelet e dopaminës, kjo rritje shpesh pasohet nga një përkeqësim i humorit si: nervozizmi, depresioni dhe ankthi.

Kjo mund të jetë për shkak të ndikimit të sheqerit në reagimin inflamator të trupit, i cili mund të luajë një rol në prishjen e ekuilibrit delikat të neurotransmetuesve në tru.

3) Mund të krijojë varësi

Sheqeri ndikon në sistemin e shpërblimit të trurit tuaj (Dopamina, një neurotransmetues i krijuar në tru), duke çuar në dëshira për ushqime të ëmbla për disa njerëz, madje edhe varësi ndaj sheqerit. Kjo është për shkak se konsumimi i sheqerit shkakton lirimin e dopaminës dhe mund të ndikojë gjithashtu në receptorët opioid dhe funksionin e serotoninës.

Kjo rritje e dopaminës përforcon dëshirën për ushqime të ëmbla, mund të çojë në simptoma të tjera si mbingrënia, ulje e energjisë, mjegulla e trurit dhe shtimi i peshës.

4) Faktor rreziku për shfaqjen e sëmundjes së Alzheimerit

Konsumimi afatgjatë i sheqerit është shfaqur gjithashtu si një faktor rreziku potencial në zhvillimin dhe përparimin e sëmundjes Alzheimer. Konsumimi i sheqerit në masë të madhe mund të çojë në rezistencë ndaj insulinës, e cila mund të dëmtojë aftësinë e trurit për të përdorur në mënyrë efikase glukozën.

Kjo ndërprerje në metabolizmin e glukozës mund të kontribuojë në akumulimin e substancave toksike të quajtura pllaka amiloide, të cilat janë karakteristike për Alzheimerin. Konsumimi i tepërt i sheqerit shoqërohet gjithashtu me inflamacion kronik, duke përfshirë inflamacionin në tru, një faktor që mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimer./ Nutrisense, Heather Davis MS, RDN, LDN

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re