Vendimi i partive reale opozitare për tu ulur në të njëjtën tryezë me shumicën parlamentare në tryezën e iniciuar nga OSBE, është parë me habi nga shumë vëzhgues dhe përkrahës të tyre. Nisur nga veprimet e deritanishme, rruga radikale dhe deklaratat e Lulzim Bashës, se bisedimet për reformën zgjedhore nuk janë një instrument për zgjidhjen e krizës, opinion ishte përgatitur për një bojkot të tryezës së 25 tetorit në krye të së cilës do të qëndrojë Broshardt.
Por, PD, LSI dhe aleatët kanë bërë të kundërtën. Ata kanë hedhur një hap të ndrojtur drejt përafrimit duke pranuar që në këtë tavolinë të mos përfaqësohen me persona politikë, por në nivel teknicienësh.
Natyrisht as kjo manovër nuk e fsheh dot faktin se kemi të bëjmë me një zbythje. Edhe më idioti e kupton se edhe nëse ky process arrin të prodhojë reformën më të mrekullueshme zgjedhore, ai nuk mund të kthejë paqen në vend. Shqipëria nuk ka vuajtur nga sistemet që ka adaptuar (mazhoritar, proporcional, të përzier), por nga babzia për të grabitur dhe blerë vota n emër të mbajtjes së pushtetit. Ajo ka bërë shumë reforma zgjedhore, por asnjëherë nuk ka gjetur paqe.
Prandaj sado i pakuptimtë që të duket, kthimi kokëulur i djemve plangprishës së opozitës në një tryezë me deputetët e Ramës e ka një prapaskenë. Ai me shumë gjasë është pasojë e një kompromisi. Prej disa ditësh qëndrat ndërkombatare më të forta që kanë në dorë vendimmarrjen për Shqipërinë, i kanë kërkuar PD dhe aleatëve ta hedhin këtë hap. E ka bërë këtë edhe Palmer, edhe OSBE, edhe ambasadori Soreca edh Bundestagu gjerman. Madje, në pikat e kushtëzuara që parlamenti në Berlin pritet të votojë për hpjen e negociatave me Shqipërinë, ka zënë një vend të rëndësishëm edhe kjo pikë. Dhe këtu me sa duket qëndron nyja gordiane. Ajo ka të bëjë me një megociatë të fshehtë që Basha ka kryer me deputetët e CSU-CDU-së. Ai është angazhuar të hedhi këtë hap kompromisi që të marrë në këmbim dy kushte të forta: “dënimin e personave të përfshirë në vjedhjen e votave” dhe së dyti “rishikimin e legjitmitetit të zgjedhjeve”.
Po të shihet dokumenti me dhjetë kushte që shpalli pak ditë më parë Deutsche Welle, aty zinin vend edhe këto pika shumë të sikletshme për qeverinë Rama.
Natyrisht renditja e këtyre dy kushteve për negociatat, nuk do ta shndërrojë Ramën nga dial në ëngjëll dhe nuk jep garanci se ato do të zbatohen. Por në mënyrë të zbehtë PD kaq ka pasur mundësi dhe kaq ka bërë me aleatët e saj ndërkombëtarë. Dhe si rezultat i këtij pakti, ajo ka pranuar të shkojë e çalë drejt tryezës së organizuar nga Broschardt./Lapsi.al