Termi hermetizëm në pamje të parë është relacion i vështirë në komunikimin midis lexuesit dhe tekstit. Në fakt është më shumë se kaq. Gjuha e tekstit te poezia hermetike nuk mund të integrohet në kontekstin historik e shoqëror. Enigma dhe mbyllja, univalenca e kuptimit janë element të diskursit poetik hermetik.

Nga Yzedin Hima

 

Termi hermetizëm në pamje të parë është relacion i vështirë në komunikimin midis lexuesit dhe tekstit. Në fakt është më shumë se kaq. Gjuha e tekstit te poezia hermetike nuk mund të integrohet në kontekstin historik e shoqëror. Enigma dhe mbyllja, univalenca e kuptimit janë element të diskursit poetik hermetik. Te vepra e hapur poetike, teksti ka aq mënyra leximi, apo kuptime sa ka lexues, madje më saktë duhet thënë se ka aq mënyra leximi dhe kuptime sa ka lexime të tij. Poezia hermetike mund të dekodifikohet duke identifikuar  shenjuesit dhe kodet origjinalë që përdor poeti. Tekstet hermetike dhe tekstet simbolike kanë më tepër destinim estetik se sa destinim semantik.

Poezia e Zorbës me titull “Një gozhdë” është e bukur, sugjensionuese, parë nga rrafshi estetik:

Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë

e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur.

Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë.

e futur thellë në mur , një gozhdë e futur.

 Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë

 e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur

 e ngulur thik …

e futur thellë…

 e mbetur thatë …

Autori na vjen në ndihmë me shënimin e tij të lënë si pasthënie te dorëshkrimi i librit poetik “Buzë të ngrira në gaz”. Ai shpjegon pakëz edhe nga procesi i nyjëtimit të teksteve të tij:    E di se punimet e këtij libri kanë mjaft errësi e që vazhdojnë të jenë të tilla edhe pas leximit të vëmëndshëm.Ka moment që edhe mund të duken të qarta, por në të vërtetë më rtisin ekspresivitete jo vetëm të koshiencës, por edhe të subkonshit. E shumë herë ajo që bie në sy është ana formale, mjete të morfologjisë e të prozodisë, funksioni i të cilave ka qënë vetëm rilevimi e shoqërimi i fenomenologjisë së brendshme…” Teksti poetik i Zef Zorbës “Një gozhdë” është tekst i formës së pastër të artit për art. Ky tekst nuk ka asnjë funksion tjetër, veç funksionit estetik, gjë ende e rrallë në poezinë shqipe, e cila edhe kur i shpëtoi morsës së socrealizmit, nuk i shpëtoi të qënit si letërsi funksionale apo qëllimore. Ky tekst ndërtohet nga dy emra: gozhdë, mur, nga tre  mbiemra: e ngulur, e futur, e mbetur, nga tre ndajfolje: thik, thellë, thatë. Nuk ka asnjë folje. Në këtë tekst kemi thjesht gjendje:Një gozhdë e mbetur; e ngulur thik, e futur thellë, e mbetur thatë. Nuk kemi veprim (mungojnë foljet). Kemi një pamje të ngrirë ku emrat gozhdë dhe mur janë në plan të parë. Relacioni midis gozhdës dhe murit është i pandashëm, i pashmangshëm. Në trupin e murit gozhda qendron e ngulur thikë, e futur thellë. Të krijohet përshtyppja se sendi e ka dhunuar murin, duke u ngjitur nëpërmjet gozhdës fort me të.  Ndërsa vargu i fundit e mbetur thatë, të grish të mendosh se kjo gozhdë nuk është rastësish e ngulur aty. Dikur nuk ka qenë e thatë. Dikur duhet të ketë patur një funksion. Është ndërprerë relacioni mur-gozhdë-send i varur në gozhdë. Sendi mungon dhe kemi: një gozhdë e mbetur thatë. Cili ka qënë sendi dhe pse nuk është më,  është enigmë.

Elipset e bëjnë edhe më hermetik këtë tekst. Emri mur është shenjues i statikes ( muri nuk luan, burri luan), i së vjetrës (muret e qytetërimit ilir, romak, helen), i qëndresës (mure kështjellash), i historisë (rrënoja muresh ), i arkitekturës, i qytetërimit etj. Gozhda e ngulur në mur është mjet ndihmës. Është e ngulur në mur për shkak se sendi i varur në të ka synuar për të marrë diçka nga cilësitë e murit si përhershmëria, fortësia, përjetësia etj. Kjo shpjegohet edhe nga mbiemrat dhe ndajfoljet: e ngulur thik, e futur  thellë. Ndërsa muri, shenjuesi i përhershmërisë qëndron stoik aty ku ka qënë që në krye të herës si dëshmi e asaj që nuk mund të asgjësohet , që nuk mund të ndryshohet e dhunohet. Përkohshmëria e sendit të varur në gozhdë, e ka lënë këtë të fundit pa funksion. Ajo kishte shërbyer me devocion dhe nuk qe faji i saj që sendi mungon. Madje ajo kishte shërbyer pa u vënë re, pa u dukur, prapa sendit. Nëse sendi i varur do të binte për faj të gozhdës, atëherë ajo do të ndryshkej nga turpi.Teksti përfundon me një shkallëzim zbritës: nga lavdia e sendit dhe  e gozhdës, ka ngelur gozhda si rrënojë e lavdisë së dikurshme të sendit, ose në pritje të sendit të ri: e ngulur – e futur – e mbetur ( mbiemra) dhe ndajfoljet: thik-thellë-thatë. Rënia është e pranishme. Pse teksti ka titullin Një gozhdë? Me sa kuptojmë  për të tërhequr vëmëndjen e lexuesit te gozhda, jo tek muri. Pas gozhdës së ngulur në mur lexuesi do të kërkojë sendin që dikur ka qënë i vendosur në mur . Më pas ai do të kërkojë arësyet e divorcit të murit me sendin e varur në gozhdë, që normalisht s’mund të jetë divorc midis gozhdës dhe sendit. Gozhda është thjesht një mjet ndihmës. Dhe si të gjitha gjërat thjesht ndihmëse e humbasin vlerën pas përfundimit të funksionit.  Bie në sy gozhda, jo muri në vendin e tij. Gozhda është shenjues i gjithçkaje që përdoret dhe braktiset. Gozhda bie në sy për shkak të klithmës së mungesës së sendit. Edhe në fund teksti përfundon me:…një gozhdë e mbetur / e ngulur thik…/ e futur thellë…/ e mbetur thatë…/, pa përmendur fjalën mur, i cili kishte provuar në trupin dhe mishin e tij shumë gozhdë, në të cilat qe varur përkohshmëria.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re