Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se rreth katër milionë njerëz në të gjithë Ukrainën janë goditur nga kufizimet e energjisë elektrike, që kompanitë ukrainase janë detyruar t’i vendosin, për shkak të dëmtimit të infrastrukturës të shkaktuar nga fushata e bombardimeve të Rusisë.

 

 

Zelenskiy tha në fjalimin e tij të natës, më 28 tetor, se zonat e prekura përfshijnë Kievin dhe Harkivin, si dhe rajonet përreth dy qyteteve të mëdha.

 

 

Autoritetet në Kiev thanë se kufizimet do të duhet të rriten në nivele “të paprecedentë”.

 

 

Kompania kombëtare ukrainase e energjisë, Ukrenergo, tha në një deklaratë se “ndërprerjet emergjente” prej katër orësh në ditë, ose më shumë, kishin rifilluar në rajonin e Kievit.

 

 

Masat janë të nevojshme për të stabilizuar rrjetin elektrik sepse armiku vazhdon të bombardojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, tha Oleksiy Kuleba, guvernatori i rajonit të kryeqytetit.

 

Ukraina dhe aleatët e saj kanë thënë se shumë nga sulmet janë kryer nga dronët e furnizuar nga Irani.

 

 

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i kërkoi të premten homologut të tij iranian që të ndalojë menjëherë furnizimin me armë për Rusinë. Kjo ishte telefonata e parë mes dy zyrtarëve që kur Kievi tha se Moska po përdor dronë të prodhuar nga Irani.

 

 

Zyrtarët në të gjithë vendin u kanë kërkuar njerëzve që të kursejnë energjinë duke reduktuar konsumin e tyre të energjisë elektrike gjatë orëve të pikut dhe duke shmangur përdorimin e pajisjeve të tensionit të lartë.

 

 

Ukraina tha se 30% e termocentraleve të Ukrainës ishin shkatërruar që kur Rusia nisi valën e parë të sulmeve në infrastrukturën energjetike më 10 tetor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re