Tre persona u arrestuan sot derisa njerëzit që protestonin ndaj vaksinimit të detyrueshëm kundër COVID-19 zbritën në Parlamentin e Zelandës së Re.

Protestuesit u arrestuan kur u përpoqën të “shtynin një gardh në terrenin e Parlamentit”, raportoi transmetuesi publik Radio Zelanda e Re (RNZ).

Teksa protestat ndaj vaksinimit të detyrueshëm kundër COVID-19 janë ndezur në të gjithë Zelandën e Re, një turmë prej rreth 1.000 personash është mbledhur pranë Parlamentit në kryeqytetin Wellington që nga fundjava e kaluar.

Pavarësisht paralajmërimeve nga policia për të “çmontuar çdo strukturë, të tilla si tenda”, gati 100 protestues kampuan gjatë natës në mjediset e Parlamentit, thuhet në raport.

Protestuesit argumentojnë se urdhrat e vaksinimit të detyrueshëm shkelin të drejtat e tyre themelore dhe duan që qeveria të tërheqë të gjitha mandatet dhe kufizimet për COVID-19.

Kryeministrja Jacinda Ardern ka refuzuar të takohet me protestuesit dhe ka dënuar veprimet e tyre, duke thënë se “protestat nuk përfaqësojnë pikëpamjet e shumicës së Zelandës së Re”.

“Sigurisht që banorët e Zelandës së Re kanë të drejtë të protestojnë, por ata kanë gjithashtu të drejtën të vaksinohen dhe të mbahen sa më të sigurt në pandemi. Kjo është pikërisht ajo ku ne jemi fokusuar dhe kjo është ajo që shumica e banorëve të Zelandës së Re po bëjnë”, citohet të ketë thënë ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re