Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, duket se pranoi kete të dielë humbjen e qytetit lindor të Bahmutit dhe rënien e tij në duart e forcave ruse.

I pyetur gjatë samitit të G7 në Hiroshima, nëse Ukraina vazhdon ende ta ketë nën kontroll qytetin e Bahmutit, Zelenski u përgjigj: “Mendoj se jo”.

“Duhet të kuptoni se aty nuk ka më asgjë”, tha Zelenski, duke iu referuar veprimeve të Rusisë. “Ata kanë shkatërruar gjithçka”.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi fillimisht të shtunën (20.05) se trupat e saj, së bashku me mercenarët e grupit mercenar Wagner, kanë vënë nën kontroll qytetin.

Shesh luftimesh të ashpra

Bahmut, i cili ndodhet në provincën Donetsk të Ukrainës, ka qenë shesh luftimesh të ashpra midis forcave ukrainase dhe ruse për muaj të tërë. Rusia kontrollon rreth gjysmën e provincës Donetsk dhe pretendon se e ka aneksuar atë në vjeshtën e vitit 2022.

“Si rezultat i ofesivës të njësive sulmuese të grupit mercenar Wagner, të mbështetur nga artileria dhe aviacioni i Grupit Jugor të Forcave, çlirimi i Artjomovskit ka përfunduar,” tha Ministria Ruse e Mbrojtjes, duke iu referuar Bahmutit me emrin që kishte ai gjatë epokës sovjetike.

Kreu i grupit mercenar Wagner, Jevgeni Prigozhin, kishte njoftuar gjithashtu për marrjen plotësisht të Bahmutit ditën e shtunë. “Sot më 20 maj u mor Bakhmuti”, tha Prigoshini në një video në shërbimin Telegram. “Operacioni zgjati 224 ditë”, tha Prigoshini para godinave të shkatërruara dhe ushtarëve të trupës së tij.

Më 25 maj ata do t’ua dorëzojnë qytetin trupave ruse. Nga qeveria ukrainase u tha fillimisht se luftimet vazhdojnë. “Luftime të rënda në Bahmut. Situata kritike”, shkroi zëvendësministrja e Brendshme, Hana Maljar në Telegram, por “Trupat ukrainase kontrollojnë disa pjesë të industrisë dhe të infrastrukturës”.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax njoftoi se Presidenti Vladimir Putin i përgëzoi trupat për pushtimin e qytetit..DW

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re