Skip to content

Zelenskiy Putinit: Të lutem ndale këtë luftë

“Të lutem ndaloje këtë luftë. Ne duhet të ulemi dhe të flasim pa parakushte, duhet të flasim si njerëz”, është mesazhi që Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i dërgoi të enjten në mbrëmje homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Zelenksiy mbajti një konferencë për shtyp në ditën e 8-të të sulmeve të Rusisë.

Presidenti ukrainas deklaroi se atij i duhet të mbrojë atdheun e tij.

“Më vret ndërgjegjja dhe vuaj për çdo jetë të humbur. Kam frikë për çdo njeri. Më duhet të mendoj se çfarë do të lë për brezat tanë të ardhshëm”, u shpreh ai.

“Dua që hapësira ajrore të mbyllet plotësisht sepse raketat nuk lëshohen vetëm nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia, po lëshohet raketa Iskander”, tha Zelensky.

“Ne kemi gjetur avionë të kohës sovjetike. A do të fluturojmë me ta? Ne sot po mbrojmë shtetin tonë nga Rusia. Na duhen avionë. Për momentin nuk mund të bëjmë asgjë pa avionë. Kjo situatë po u kushton jetën shumë njerëzve”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky nënave ruse: Nuk ka vend për të bijtë tuaj në morgje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua edhe nënave ruse, duke u kërkuar atyre që të “marrin fëmijët e tyre” nga Ukraina.

“Nëna, ejani dhe merrni fëmijët tuaj. Nuk duhet të jetë morgu për njerëzit në moshë të re”, tha udhëheqësi ukrainas.

Kreu i shtetit falënderoi komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë Ukrainës. Megjithatë, politikani vuri në dukje se ajo ishte shumë vonë. “Faleminderit për mbështetjen tuaj për Ukrainën, por tashmë është tepër vonë. Nëse do ta kishim bërë këtë më herët, fëmijët nuk do të kishin vdekur. Bota duhej të tregonte forcën e saj”, tha Zelensky para gazetarëve.

Duke iu drejtuar Putinit, Zelensky tha:

“Mos më fol nga 30 metra larg, siç flet me presidentin francez Emmanuel Macron. Ne jemi fqinjë. Eja dhe fol me mua. Ne nuk jemi një kërcënim për ju, ne nuk jemi terroristë. Të lutem ndale këtë luftë. Duhet të ulemi dhe të flasim pa parakushte, duhet të flasim si njerëz.”

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të ofrojnë garanci sigurie, Zelenskiy tha:

“Ne nuk po sulmojmë Rusinë. A kemi ne armë bërthamore? Kjo është një luftë informacioni.”

Zelenskiy deklaroi se bota ishte shumë vonë për Ukrainën dhe përmendi si shembull protestat që mbahen në këto vende.

“Ne nuk e kemi problem me njerëzit që vijnë këtu, por ata po vijnë këtu për të na vrarë, kjo përbën problem për ne”, shtoi ai.