Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se ushtria ruse, që sulmon vendin e tij, trajton shumë keq madje edhe qytetarët që flasin rusisht.

Në ditën e 16-të të sulmeve të Rusisë, Zelensky u është drejtuar ukrainasve dhe duke bërë të ditur se prej 16 ditësh ata luftojnë për lirinë e tyre, ai tha se “Kjo periudhë është 4 herë më shumë se afati që armiku kishte parashikuar për pushtim”.

Rusët mendonin se ushtria e tyre, që mendohej se ishte një nga ushtritë më të forta në botë, do t’i mposhte ukrainasit dhe shpresonin se ushtria ruse do të pritej me lule në rrugët e Ukrainës,- u shpreh Zelenskiy dhe shtoi:

“Është e pamundur të themi se kur do t’i çlirojmë territoret tona nga pushtimi. Por, mund të them se këtë do ta bëjmë. Sepse po bëjmë përpjekje për këtë, sepse që tani kemi arritur një pikëkthesë strategjike. Po përparojmë drejt objektivit, fitores tonë”.

Pasi njoftoi se nga partnerët perëndimorë presin sanksione të reja kundër Rusisë, Zelensky tha: “Rusia duhet të paguajë çmimin e kësaj lufte të tmerrshme. Duhet ta paguajë çdo ditë. Dje liderët e BE-së zhvilluan një takim shumë të rëndësishëm. Ne e dimë se çfarë ka thënë secili lider. E dimë se kush ka folur qartë, se kush na ka mbështetur dhe se kush ka heshtur. Si e vlerësojmë ne vendimin e marrë? Shumë thjeshtë. Kemi nevojë për hapa më të fuqishëm. Kjo nuk është ajo që ne prisnim”.

Ndërsa në lidhje me “luftëtarët” që Rusia ka planifikuar të sjellë nga Lindja e Mesme për të luftuar kundër Ukrainës, Zelensky bëri këtë koment:

“Po luftojmë me një armik që nuk i intereson vdekja e mijëra ushtarëve. Armiku, i cili ka mbledhur ushtarë nga çdo vend i Rusisë për t’i hedhur në ferrin e luftës, tani ka hedhur mendimin për të sjellë ushtarët mercenarë sirianë të luftojnë kundër popullit të Ukrainës. Po sjellin hajdutët nga Siria”.

“E keni parë se si ushtarët rusë janë sjellë me njerëzit tanë që flasin rusisht. Sulmuan me raketa, me bomba dhe artileri. Ndërsa tani ushtarët mercenarë sirianë, të cilët nuk bëjnë dallime se cilën gjuhë flet, se çfarë kishe frekuenton dhe çfarë partie mbështet, vijnë në një vend të huaj vetëm për të vrarë”, tha Zelensky.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re