Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pati një fjalim në Bundestagun gjerman në Berlin, një ditë pasi mbajti një të tillë për Kongresin amerikan.

Ai falënderoi Gjermaninë për ndihmën e saj, por u tha ligjvënësve se mbështetja e tyre “erdhi shumë vonë për të ndaluar luftën“.

“Pse ‘kurrë më’ nuk është e vërtetë?”, pyeti ai.

Zelensky gjithashtu kritikoi liderët gjermanë për interesat e biznesit të vendit në Rusi.

“Ne mund të shohim gatishmërinë tuaj për të vazhduar të bëni biznes me Rusinë – por tani jemi në mes të Luftës së Ftohtë,” tha Zelenski. “Dhe përsëri, ju ende po mbroni veten pas një muri që nuk ju lejon të shihni se çfarë po kalojmë.”

Ai përfundimisht i bëri thirrje Gjermanisë që të trajtojë agresionin rus dhe të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Moskës.

“Paqja është më e rëndësishme se të ardhurat,” u tha ai ligjvënësve.

Duke përmendur rënien e Murit të Berlinit, Zelensky i bëri thirrje kancelarit gjerman Olaf Scholz që të rrëzojë atë që ai tha se ishte një mur midis Evropës “të lirë dhe jo të lirë” dhe të ndalojë luftën në Ukrainë.

Zelensky i bëri thirrje Scholz-it që të rivendoste lirinë në Ukrainë, duke thirrur kujtesën kolektive të Gjermanisë në lidhje Berlinin të viteve 1948-1949 dhe  rënien e Murit në 1989.

Zelensky përshkroi një mur të ri “në mes të Evropës midis lirisë dhe jolirisë”, të cilin ai tha se Gjermania e kishte ndihmuar në ndërtimin, duke izoluar Ukrainën me lidhjet e saj të biznesit me Rusinë dhe mbështetjen e mëparshme për gazsjellësin Nord Stream 2.

“Dhe ky mur po bëhet më i madh me çdo bombë që bie mbi Ukrainën, me çdo vendim që nuk është marrë”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, Gjermania ndaloi projektin e gazsjellësit Nord Stream 2 në Detin Baltik, që synonte dyfishimin e rrjedhës së gazit rus drejtpërdrejt në Gjermani. Duke kujtuar apelin e ish-presidentit amerikan Ronald Reagan, Mikhail Gorbachev, liderit të fundit sovjetik, për të shembur Murin e Berlinit, Zelensky u tha ligjvënësve gjermanë: “Unë ju them këtë, i dashur Kancelar Scholz: Shkatërrojeni këtë mur!”.

“Jepini Gjermanisë rolin udhëheqës që meriton, në mënyrë që pasardhësit tuaj të mund të krenohen me ju. Mbështetni lirinë, mbështesni Ukrainën, ndaloni këtë luftë, na ndihmoni ta ndalojmë këtë luftë,” shtoi ai.

Deputetët e Bundestagut e përshëndetën Zelenskin me duartrokitje.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re