Pak orë para nisjes së Samitit Ukrainë-Europa Juglindore duket se gjithçka është gati për të pritur presidentin Volodymir Zelensky dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.

Panorama sjell pamjet nga Pallati i Kongreseve ku edhe do të zhvillohet Saimiti, ku në hyrje është vendosur ngë banderolë me emrin e Ukrainës.

Siç shihet në video bulevardi është i bllokuar, ndërsa ka edhe kontrolle të rrepta sigurie.

Kjo është vizita e parë e Zelensky në Shqipëri, i cili mbërriti në vendin tonë mbërmjen e së martës (27 shkurt).

Axhenda dhe masat e sigurisë

Ai do të pritet mëngjesin e sotëm në Kryeministri nga kryeministri Edi Rama e më tej do të jetë pritja e delegacioneve te Pallati i Kongreseve. Zelensky do të marrë pjesë në punimet e Samitit, ku do të jenë të pranishëm edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore. Sipas xhendës, ai do të pritet sot në orën 09.00 nga kryeministri Edi Rama në ceremoninë që do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar takimin kokë më kokë në Kryeministri.

Sipas axhendës së publikuar, rreth orës 9:30 të dyja delegacionet do të kenë një takim bilateral, ndërsa rreth orës 10 është planifikuar firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Më pas rreth orës 11:30, kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të mbajnë fjalët hapëse të sesionit. Ndërsa në orën 13:00 do të jetë edhe fotoja familjare e pjesëmarrësve. Samiti mbyll punimet në orën 13:30, në një konferencë të përbashkët RamaZelensky.

Përgatitjet për samitin janë drejt fundit në Pallatin e Kongreseve, ndërsa në krah të godinës së bashkisë është vendosur një flamur gjigant i Ukrainës. Pjesë e këtij samiti përmes një videomesazhi do të behet edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, siç njoftoi vetë kryeministri Edi Rama nga Ankaraja më 20 shkurt. Më datë 29 shkurt do të vijohet me një tjetër samit, atë të Ballkanit Perëndimor, ku do të marrin pjesë liderët e 6 vendeve të rajonit. Fokusi i këtij takimi do të jetë te plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit europian, ndërsa pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen. Në përfundim të samitit, kryeministri Rama dhe Presidenti Zelensky rreth orës 13:30 do të dalin përpara mediave për një konferencë për shtyp, që mbyll dhe vizitën e presidentit ukrainas në Tiranë. Sesioni do të diskutojë dy tema, ku tema e parë është “Ukraina” dhe pjesa e dytë do të jetë “Paketa Financiare e BE për Ballkanin Perëndimor”.

Këtu mbyllet dita e parë e Samitit. Ndërkohë në ditën e dytë, më 29 shkurt, do të vazhdojnë diskutimet mes liderëve të Ballkanit Perëndimor për procesin e zgjerimit. Prej mbrëmjes së të martës, Policia e Shtetit do të kalojë në gatishmëri me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore dhe atë të Ballkanit Perëndimor, që do mbahen në Tiranë më 28 dhe 29 shkurt. Konkretisht, në terren do të jenë të angazhuar mbi 1500 efektivë policie, ndërsa pjesë e planit të masave është dhe bllokimi i qarkullimit rrugor me fasha orare në disa akse të kryeqytetit. Sa u takon rrugëve brenda perimetrit të sigurisë, bllokimi do jetë total.

“Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28.02.2024 deri në orën 16:00 të datës 29.02.2024”, – tha Rebani Jaupi, drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit. Në dy ditët e bllokimit të qarkullimit, policia orienton të gjithë qytetarët të përdorin rrugët alternative që të aksesojnë me aeroportin “Nënë Tereza”. “Do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim; Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim; Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itinerar”. Plani i masave prek dhe qytetarët që banojnë në godinat fare pranë perimetrit të sigurisë, për të cilët policia ka krijuar akses për hyrje-daljet e tyre përmes rrugëve alternative.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re