Samiti i sotëm është paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama më 22 janar, gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që ishte mbajtur në Shkup të Maqedonisë Veriut.

Ai u shpreh se në këtë samit do të flitej për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Sipas agjendës që u publikua, Rama dhe Zelensky pritet të mbajnë fjalime hapëse dhe pastaj një takim prapa dyerve të mbyllura. Samiti do të përmbyllet me daljen e tyre në një konferencë për media.

Marrëdhëniet Shqipëri-Ukrainë

Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, 2022, Shqipëria ishte rreshtuar përkrah Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të Ukrainës.

Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për vitin 2022, nga 32 mijë ukrainas që hynë në Shqipëri pas nisjes së luftës, rreth 2.500 qëndruan edhe përtej 2022-tës në këtë vend.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar, 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020.

Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë. Në rajonin e Odesës në Ukrainë jetojnë rreth 3.500 shqiptarë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re