Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka shkarkuar të premten shefat e të gjitha qendrave për rekrutim në të gjitha rajonet e vendit, nën akuzat për korrupsion të cilat, sipas tij, mund të cilësohen si tradhti e lartë.

 

“Po i shkarkojmë të gjithë komisarët rajonal të ushtrisë”, tha Zelensky në rrjetet sociale, pas një takimi me lidershipin e lartë të ushtrisë.

 

“Ky sistem duhet të udhëhiqet nga njerëz të cilët e dinë saktësisht se çfarë është lufta, dhe pse cinizmi dhe ryshfeti në kohë luftë është tradhti e lartë”, shtoi ai.

Kievi është duke i rekrutuar ukrainasit në batalione për sulme në kundërofensivën e saj kundër forcave ruse, në përpjekje për ta çliruar vendin nga pushtimi i trupave të Moskës, shkruan REL.

 

Ky vendim pasqyron përpjekjet e Ukrainës për ta luftuar ryshfetin dhe korrupsionin, si pjesë e reformave të thella të kërkuara nga institucionet e Perëndimit, si Bashkimi Evropian, të cilit Ukraina shpreson t’i bashkohet.

 

“Gjatë inspektimit të qendrave të rekrutimit, agjencitë e sundimit të ligjit zbuluan raste të korrupsionit”, tha presidenca ukrainase në një komunikatë për media.

 

Presidenca shtoi se këto “përbëjnë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare të Ukrainës dhe e minojnë besimin në institucione shtetërore”.

 

Këshilli i Sigurimit i Ukrainës rekomandoi që shefi i ushtrisë t’i përzgjedhë zëvendësuesit të cilët kanë përvojë në fushëbetejë dhe të cilët janë verifikuar nga shërbimet inteligjente të Ukrainës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re