Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy falënderoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan për 215 ukrainasit e liruar pas shkëmbimit të të burgosurve me Rusinë, të ndërmjetësuar nga Turqia.

Zelenskyy bisedoi përmes video-konferencës me komandantët e batalionit Azov të Ukrainës, të cilët u kthyen në vend përmes shkëmbimit.

Duke përgëzuar komandantët që u “liruan nga robëria ruse”, Zelenskyy tha: “Pasi një kohë të gjatë ua dëgjoja vetëm zërat përmes telefonit tash jam i lumtur që ua shoh edhe fytyrat. Jemi jashtëzakonisht krenarë për atë që keni bërë për vendin tonë”.

Ai tha se me shkëmbimin në fjalë shpëtuan 215 ukrainas, përfshirë të dënuarit me vdekje dhe falënderoi presidentin Erdoğan për ndërmjetësimin me Rusinë për këtë çështje.

Duke theksuar se 5 anëtarë të batalionit, të cilët u kthyen me shkëmbim, ndodhen në Türkiye për qëllime sigurie, Zelenskyy tha: “Kam biseduar me presidentin Erdoğan. Pesë komandantët e Azov-it do të mbahen të sigurt në Türkiye nën kontrollin special të Erdoğan-it. I jam mirënjohës edhe një herë presidentit Erdoğan”.

Presidenti ukrainas shtoi se ata ia kthyen 55 ushtarë Rusisë me rastin e këtij shkëmbimi.

Shefi i Zyrës së presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak tha se 108 luftëtarë të batalionit Azov ishin në mesin e 215 personave të shkëmbyer.

Koordinatoria e Transaksioneve njoftoi se ka publikuar listën me 215 personat që janë kthyer sërish si rezultat i shkëmbimit më 21 shtator.

“Ky ishte shkëmbimi më i madh që nga 24 shkurti. Tani i pret shërimi dhe trajtimi mbrojtësit tanë, të cilët tani janë liruar nga robëria”, thuhet në deklaratë.

Dje u bë e ditur se janë shkëmbyer 200 robër lufte si rezultat i angazhimit diplomatik të zhvilluar nga presidenti Erdoğan me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas, Zelenskyy.

Erdoğan tha se shkëmbimi i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësimin e Türkiye-s ishte hap i rëndësishëm drejt përfundimit të luftës.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re