Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se trupat ruse kanë lënë qëllimisht një numër të madh të shpërthyesve gjatë tërheqjes nga rajonet veriore të vendit të tij dhe se kjo duhet të konsiderohet si krim lufte, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një video-mesazh, Zelenskyy tha se vazhdojnë punimet për pastrimin e minave në rajonet veriore të Ukrainës që janë çliruar nga ushtarët rusë.

“Në rajonet në fjalë neutralizohen çdo ditë të paktën rreth 1 mijë shpërthyes. Pushtuesit kanë lënë mina në çdo vend, nëpër rrugë, shtëpi, automjete. Ky është një veprim i qëllimshëm, në mënyrë që kthimi pas pushtimit në rajone të jetë sa më i rrezikshëm”, theksoi Zelenskyy.

Presidenti i Ukrainës vuri në dukje se për shkak të veprimeve të ushtrisë ruse, vendi i tij është bërë një nga rajonet më të minuara në botë. “Mbushja e territoreve të pushtuara nga rusët me mina, duhet të konsiderohet krim lufte. Sepse kjo është diçka e bërë për të vrarë apo gjymtuar sa më shumë njerëz edhe pse janë detyruar të tërhiqen nga territoret tona”, shtoi Zelenskyy.

Duke theksuar se Rusia ka njoftuar se mund të përdorë armë kimike kundër mbrojtësve në Mariupol, Zelenskyy tha se “Këtë e marrim shumë seriozisht. Kjo nënkupton se është e nevojshme që të jepet përgjigje më e ashpër dhe më e shpejtë kundër agresionit rus”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re