Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy sot iu drejtua popullit me një video-mesazh me rastin e 1-vjetorit të parë të luftës Rusi-Ukrainë.

Ai rikujtoi se pikërisht sot një vit më parë i është drejtuar popullit rreth orës 07.00 të mëngjesit. Zelenskyy rikujtoi se në fjalimin e tij kishte thënë se Rusia kishte filluar luftë në përmasa të gjera kundër Ukrainës dhe se Ukraina ishte e gatshme për çdo gjë dhe se ajo do t‘i mundte të gjithë.

“24 shkurti 2022 kështu filloi. Dita më e gjatë e jetës tonë. Dita më e vështirë e historisë tonë. U zgjuam herët dhe që nga ajo ditë nuk kemi fjetur”, tha Zelenskyy.

Duke tërhequr vëmendjen se nuk kanë ngritur flamurin e bardhë, se filluan të mbrojnë flamurin e Ukrainës, Zelenskyy deklaroi “Nuk u frikësuam, nuk u thyem, nuk u dorëzuam. Na u forcua besimi, shpirti ynë. Mbijetuam që nga dita e parë e luftës me përmasa të gjera. Nuk e dinim se çfarë do të ndodhte të nesërmen por e kuptonim se duhet të luftonim çdo mëngjes”.

“Në ditët e para të luftës Rusia na ‘kërcënonte se nuk do të ekzistonim në 72 orët e para. Por, rezistuam në ditën e katërt të luftës, më pas në ditën e pestë. Dhe plotësisht një vit sot ne ndodhemi në këmbë dhe e dimë se duhet të luftojmë ende për çdo të nesërme”, tha ai.

Zelenskyy falënderoi forcat ushtarake të Ukrainës dhe bëri të ditur se falë tyre vendi ndodhet ende në këmbë.

Sipas tij, Ukraina nuk ra në ditën e tretë dhe se ndali ushtrinë e dytë të botës. “Kemi përballuar sulme të reja çdo ditë, kemi mësuar tragjedi të reja por kemi qëndruar në këmbë falë atyre të cilët çdo ditë sakrifikojnë veten deri në fund për të mirën e të tjerëve”, tha Zelenskyy.

– “Ukraina bashkoi botën”

Presidenti ukrainas tha se Ukraina ka befasuar botën. “Ukraina u bë burim frymëzimi për botën. Ukraina bashkoi botën. Si dëshmi mund të thuhen mijëra fjalë por disa janë të mjaftueshme. HIMARS, Patriot, Abrams, IRIS-T, Challenger, NASAMS, Leopard”, tha ai.

Më tej Zelenskyy falënderoi partnerët, aleatët dhe miqtë të cilët kanë qëndruar pranë Ukrainës gjatë një viti.

Ai theksoi se nuk mund të harrojnë asnjëherë ata që kanë humbur jetën në luftë. “Nuk do të ndalemi kurrë derisa vrasësit rusë të marrin dënimin që meritojnë”, tha Zelenskyy.

Pasi potencoi se u drejtohet ukrainasve “në rajonet që Rusia ka pushtuar përkohësisht”, Zelenskyy tha: “Ukraina nuk ju ka braktisur, nuk ju ka harruar dhe nuk ka hequr dorë. Në një mënyrë apo tjetër, ne do t’i çlirojmë nga pushtimi të gjitha territoret tona”.

Zelenskyy shtoi se do të bëjnë çdo gjë për rikthimin në Ukrainë të të gjithë atyre që janë të detyruar të qëndrojnë ende jashtë vendit.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re