Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka theksuar se ushtria ruse ka vrarë duke torturuar shumë civilë në vendbanimet në afërsi të Kievit dhe se kjo është “gjenocid”.

Zelenskyy, në një lidhje me televizionin amerikan CBS ka bërë vlerësime lidhur me luftën Rusi-Ukrainë.

Tërheqja e Rusisë është një zhvendosje taktike e trupave deklaroi Zelenskyy, i cili vuri në dukje se Rusia ka bërë përpjekje disa herë për të marrë disa qytete dhe se ushtria ruse ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në disa vendbanime që ka marrë në afërsi të Kievit.

Zelenskyy tha se ka parë shumë filma lufte dhe shtoi se “Por nuk kishim imagjinuar një gjë të ngjashme me këtë. Vendimi për të shkatërruar një vend të tërë është një vendim i çmendur”.

Lideri ukrainas më tej bëri të ditur se ushtria ruse është fokusuar në lindje të Ukrainës, se ka kryer grumbullime për të lidhur Krimenë me Donbasin dhe se atje ka sjellë çeçenët.

Duke bërë vlerësime për trupat e pajetë të civilëve dhe pamjet për shkatërrimet në njësitë e vendbanimeve përreth Kievit pas tërheqjes së rusëve, Zelenskyy theksoi se presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe të gjithë komandantët e përfshirë në këto vrasje duhet të gjykohen.

“Ato që janë bërë duhet të gjykohen në mënyrë të drejtë dhe në kuadrin e ligjit. Kërkoj falje nga ju dhe ndjekësit tuaj që jam i detyruar t‘ju paraqes të shikoni këto pamje. Nuk mund t’i imagjinoj pamjet e njerëzve me duar të lidhura, me trupa të shpuar, të torturuar dhe fëmijëve të vrarë”, tha Zelenskyy.

Ndërsa ndaj pyetjes nëse janë apo jo “gjenocid” përjetimet në vendbanimet në afërsi të Kievit, Zelenskyy dha përgjigjen: “Sigurisht që ky është një gjenocid. Është eliminim i të gjithë kombit dhe popullit. Ne jemi shtetas ukrainas. Ne kemi më shumë se 100 kombe. Kjo ka të bëjë me eliminimin e të gjithë këtyre kombeve. Ne jemi shtetas ukrainas dhe nuk duam të përulemi ndaj politikës së Federatës së Rusisë. Kjo është arsyeja e eliminimit tonë dhe kjo po ndodh në Evropën e shekullit 21”.

Duke vënë në dukje se në mënyrë kategorike lufta duhet të përfundojë, Zelenskyy shtoi se nuk është dakord për paqen në situatën kur vriten mijëra njerëz, por që nuk ka rrugë tjetër.

“Si një president po ju shpreh, nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut, nëse nuk duam vdekjen e qindra mijëra, miliona njerëzve”, tha Zelenskyy.

Ushtria ukrainase e cila më 1 prill çliroi nga forcat ruse qytetin Bucha në afërsi të Kievit, kryeqytetit të Ukrainës, u përball me një qytet me ndërtesa të shkatërruara dhe me rrugë plot trupa të pajetë.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, kishte njoftuar se 410 trupa të civilëve u gjetën në rajonin e Kievit të çliruar nga ushtria ruse.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re