Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë shqyrtimin në seancë plenare të një kërkesë të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për “shfuqizimin si të papajtueshëm më Kushtetutën”, të një serie vendimesh të gjykatave të shkallëve të ndryshme, të cilat kanë konfirmuar mbajtjen e tij në arrest me burg, duke refuzuar ndryshimin e kësaj mase sigurie.

Bëhet fjalë për vendimin e parë të Gjykatës së Posaçme, atë të Apelit si dhe vendimin e Gjykatës së Lartë.

Shqyrtimi në seancë, i cili pasi më parë trupa e anëtarëve të Gjykatës e ka vlerësuar si të vlefshme kërkesën, parashikon fazën ku pretendimet shqyrtohen në bazë të dokumentacionit.

Zoti Beleri ka provuar mëse një herë ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, sikundër ka kërkuar dhe që t’i jepet mundësia që të shkojë të bëjë betimin si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, por gjithnjë këto kërkesa të tij janë rrëzuar.

Ai gjatë gjithë kohës ka pretenduar se po mbahet në burg pa prova dhe në shkelje të dispozitave ligjore, duke folur për vendime me sfond politik.

Përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, zoti Beleri ishte kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ai u arrestua 2 ditë përpara votimit, nën dyshimet për shitblerje të votës.

Megjithatë ai doli fitues, me një diferencë shumë të ngushtë votash me rivalin socialist Jorgo Goro. Hetimet ndaj tij janë mbyllur dhe janë zhvilluar seancat e para të procesit gjyqësor.

Arrestimi i tij provokoi një acarim të menjëhershëm të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit pretendoi për shkelje të të drejtave të pakicave, duke kërkuar lirimin e tij. Një kërkesë e cila tashmë është transformuar në krijimin e mundësisë për zotin Beleri që të bëjë betimin si kryebashkiak.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi pak kohë më parë kur ishte në Tiranë për të marrë pjesë në takimin e Procesit të Berlinit, se ai do të diskutonte me kryeministrin shqiptar Edi Rama, pikërisht për këtë.

Greqia haptazi e ka kushtëzuar me çështjen Beleri, edhe procesin e përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe po këmbëngul që të mos ecet përpara me nisjen konkrete të bisedimeve për anëtarësim.

Vendimi për këtë hap është parashikuar për në fund të këtij viti dhe kërkon votën unanime të të gjithë shteteve anëtare./VOA

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re