Departamenti i Shtetit nderoi të martën individë të vendeve të ndryshme për luftën kundër korrupsionit, mes së cilëve edhe gjykatësin shqiptar Ardian Dvorani.

Çmimi i ri “Kampionët Ndërkombëtarë të Anti-Korrupsionit”, siç u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, “vlerëson individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh në kushte të vështira, për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mbajtjen e përgjegjësisë në vendet e tyre”.

Zoti Blinken tha se ky çmim tregon se administrata e Presidentit Biden e kupton se “do të jemi të suksesshëm në luftën ndaj korrupsionit vetëm duke pasur partnerë të përkushtuar”.

Në motivacionin e Departamentit të Shtetit për nderimin e zotit Dvorani, thuhet se ai është “një mbështetës kryesor i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë.”

“Gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të reduktuar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuan në vendimin e BE-së në mars për të hapur negociatat për pranimin e Shqipërisë”, thotë Departamenti i Shtetit.

Po ashtu në motivacion thuhet se zoti Dvorani ishte një nga anëtarët kryesorë të grupit të ekspertëve që zhvilluan vizionin dhe dispozitat ligjore për reformën në drejtësi të Shqipërisë, duke ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve gjyqësore të reja të Shqipërisë, pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese në sektorin e drejtësisë në 2016.

Përveç zotit Dvorani, Departamenti i Shtetit vlerësi individë nga vende të ndryshme përfshirë nga Ekuadori, India, Iraku, Sierra Leone dhe Ukraina.

Gjykatësi Ardian Dvorani ka një eksperiencë të gjatë në sistemin e Drejtësisë. Ai për shumë vite ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Zoti Dvorani kaloi me sukses procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të nisur në kuadër të reformës në Drejtësi.

Në vitin 2019 dhe deri gjysmën e parë të vitit 2020 ai drejtoi dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, një institucion i cili u vu në qendër të polemikave vjeshtën e vitit 2019, lidhur me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Ilir Meta e akuzoi atë si përgjegjësin kryesor të përplasjes mes institucionit të Presidencës dhe Parlamentit për emërimet e disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetueses. Aktualisht zoti Dvorani është gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit administrativ.(VOA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re