Sulmi terrorist në Kosovë ka ardhur për shkak të flirtimit të Perëndimit me nacionalizmin serb, pohoi kështu në A2 CNN deputeti shqiptar në kuvendin serb, Shaip Kamberi.

Sipas tij, sulmi i së dielës ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku, nuk mund të organizohej nga qytetarët e pakënaqur me kryeministrin Kurti.

“Beogradi jep informacione të rezervuara edhe në këtë situatë kur gjithçka është e artë, ata duan ta fajësojnë Kosovën dhe kryeministrin Kurti. Është sulm klasik terrorist të një grupi të mirarmatosur dhe gjithë ai arsenal është i pamundur të organizohet nga qytetarët e pakënaqur, siç thotë presidenti Vuçiç nga dhuna e Kurtit. Një agresion sërish në një vend që është në protektoratin e NATO-s”.

Kamberi thotë se prej kohësh ka paralajmëruar për rrezikun serb në Ballkan, teksa fajëson perëndimin për flirtim me nacionalizmin serb. Sipas tij, ambicia e Serbisë së madhe është toleruar nga Perëndimi.

 “Ka një kohë të gjatë që unë edhe në parlament dhe deklarime për rrezikun që po sjell për Ballkanin ‘bota serbe’. Ishte një situatë e një flirtimi të heshtur të Perëndimit me këtë nacionalizëm serbomadh. Shpresoj të jetë një pikë kthese që Perëndimi të shohë që flirtimi me nacionalizmin serb nuk sjell paqe në rajon. Janë të njëjtët që mohojnë gjenocidin në Srebenicë, masakrën e Reçakut dhe deportimin e një milion shqiptarëve. Një ambicie për ndërtimin e Serbisë së madhe që mjerisht në heshtje është toleruar nga Perëndimi. Bota serbe ka sjellë telashe në Bosnjë, ka sjellë në Mal të Zi, si dhe veriu i Kosovës që është gjithnjë jostabil për shkak të ndërhyrjeve të Vuçiç dhe marionetave që ai ka instaluar aty”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re