Ndërsa krerët kosovarë disa herë kanë deklaruar se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do ketë kompetenca ekzekutive, zv. i Ramushit nga radhët e serbëve, Dalibor Jevtiç e thotë se Beogradi nuk do shkonte në Bruksel të diskutonte që kjo marrëveshje të bëhet sipas ligjeve kosovare.

“Nuk do të dëshironim që diçka të formohet bazuar në ligjet aktuale të Kosovës, pasi që askush në Bruksel nuk do të shkonte të negocionte për këtë. Por, do të shkonte që të ketë diçka të re, më shumë, ndryshe, që do të ndikonte në organizimin e një jete më të mirë për serbët”, ka deklaruar Jevtiç për mediat serbe.

Ai ka folur edhe për dialogun që po zhvillohet mes palëve në Bruksel me ç’rast ka thënë se pret konkretizim të marrëveshjeve të arritura më herët, e në veçanti kur është fjala për Asociacionin.

Sipas mediave serbe, më 4 gusht në Bruksel do të duhej të prezantohej draft statuti i AKS-së.

Kujtojmë se opozita kosovare ka paralajmëruar pushtetin se në asnjë mënyrë nuk do të lejojë të formohet Asociacioni me kompetenca ekzektutive, pra siç thonë do e ndalojnë të ndodhë “bosnjëzimi i Kosovës”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re