Komiteti i Mbrojtjes Civile autorizon ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku që të marrë masa në lidhje me çështjen grevën e kontrollorëve të AlbControl në Rinas.

Mësohet se ky Komitet u mblodh nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Balluku do të marrë masa për rikthimin e punës në Rinas, duke bërë kështu zëvendësimin e kontrollorëve.

Ndërkohë, ministri Peleshi në një emision televiziv dha sot detaje nga mbledhja.

“Dua të bëj me dije për herë të parë në media diçka. Ministri i Mbrojtjes është edhe drejtues i Komitetit të Mbrojtjes Civile dhe kam thirrur në orët e vona një takim të Komitetit të Mbrojtjes Civile. Ky Komitet i përbërë nga disa ministra, ka marrë një vendim me tre pika.

Pika e parë ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës.

Nuk mund të rrimë në vend, nuk mund të ngelemi peng i lojës politike.

Ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën.

Njerëzit kanë shumë pikëpyetje kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat, e kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim”, tha Peleshi në emisionin “7 pa 5” në “Vizion Plus”.

Kujtojmë se fluturimet në Aeroportin “Nënë Tereza” janë pezulluar që prej ditës së djeshme, për shkak të protestës së kontrollorëve që kundërshtuan uljen e pagës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re