Janë zbardhur emrat e dy kandidatëve që do të zëvendësojnë vendin e lënë bosh nga Gentian Osmani në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Mësohet se për këtë post kanë kandiduar prokurori i krimeve të rënda Vladimir Mara dhe Esmeralda Cami, drejtuese e Prokurorisë së Dibrës.

Osmani u largua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi shkarkimin e tij nga detyra e prokurorit.

Prokurori kishte kaluar procesin e vetting-ut në shkallën e parë, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe në vendimin final Osmani “ngeli në klasë”, duke lënë një vend bosh edhe në radhët e prokurorëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në 2 shtator, kryeprokurorja Arta Marku, ashtu sikurse edhe parashikohet në ligj ka shpallur vendin vakant për një anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas shkarkimit nga Vettingu të Gentian Osmanit, afat që skadon këtë të martë.

Shefja e organit të akzuzës, në përmbushje të detyrimit të saj për një tjetër kandidat ka hapur garën për vendin vakant. Pas kësaj procedure tashmë në garë janë vetëm dy prokurorë, të cilët kanë shfaqur interes për një vend në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Vladimir Mara është një prej prokurorëve që ka nën hetim çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe dosjen e njohur me numrin “339”, që flet për skandale votash në qarkun e Durrës, e ku është i përfshirë edhe ish-kryebashkuaku Vangjush Dako.

Ndërsa kandidatja tjetër është Esmeralda Cami, drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, e cila e ka kaluar procesin e vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe është konfirmuar në detyrë. Por, nëse ajo do të kërkojë një vend në SPAK, duhet t’i nënshtrohet edhe verifikimit në shkallën e dytë të vettingut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re