Kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh sot nga njësia nr.8 në Tiranë, ku mori pjesë në votimin e kandidatëve të PD për Tiranën se “demokratizimi sot do të jetë nesër një nga shtyllat e programit tonë, që vota e çdo qytetari të ketë peshën e saj”.

“Sot kam ushtruar edhe unë të drejtën time si anëtar në një proces që bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe në rajon, votën e anëtarësisë.

Ky proces është zhvilluar në gjithë Shqipërinë, sot kulmon në Tiranë pjesëmarrja është tregues i qartë i pjekurisë politike.

Shqiptarët duan dhe presin ndryshim dhe ndryshimi nis nga vota. Falënderoj demokratët, partnerët tanë që na ndihmuan të hedhim këtë hap, që nuk është vetëm një risi për PD, por për të gjithë rajonin.

Demokracia nis nga brenda shtëpisë. Ky proces po shkon drejt përfundimit duke mbajtur zotimin e dhënë për demokratët. Beteja e vërtetë na pret.

Demokratët shqiptarë janë të vetëdijshëm për pritshmëritë dhe urgjencën e çdo shqiptari për të sjellë një ndryshim real.

I siguroj shqiptarët se procesi që po përfundojmë, demokratizimi i PD sot do të jetë nesër një nga shtyllat e programit tonë, që vota e çdo qytetari të ketë peshën e saj dhe qeveria mos jetë peng i një grushti njerëzish,”- u shpreh Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re