Lulzim Basha po shkon i sigurt drejt mandatit të katërt si kryetar i Partisë Demokratike. Zgjedhjet do të zhvillohen me 29 korrik ndërkohë që zyrtarisht në garë janë vetëm dy kandidatë.

Kryesia e Partisë Demokratike miratoi dy kandidaturat për kreun e partisë, atë të Lulzim Bashës dhe Gjergji Hanit.

“Në mbështetje të nenit 45, pika 1 të Statutit të PDShsë, dhe në zbatim të vendimeve të datave 6 qershor dhe 15 Qershor 2023, Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, bazuar në relacionin e paraqitur nga Sekretariti Ekzekutiv, vendosi miratimin e kandidaturave për zgjedhjet për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë si vijon: Gjergj Tomor Hani dhe Lulzim Xhelal Basha. Miratimi i kandidaturave për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike.

Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorgnizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në Dhjetor të vitit 1990, si forca e parë properëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim. Gjithashtu, nisur nga zhvillimet e fundit brenda forcës sonë politike, Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj dhe fton secilin prej tyre të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e familjes sonë politike. Ne ftojmë çdo anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike të jetë pjesë e jetës institucionale dhe t’i japë zë çdo shqetësimi që mund të ketë brenda mandatit me të cilin është ngarkuar nga anëtarësia. Mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë”, – thuhet në njoftimin e kryesisë së PD-së.

Më herët deputeti Ferdinand Xhaferraj komentoi për Panorama TV situatën në Partinë Demokratike dhe rikandidimin e Bashës për të marrë kreun e kësaj force politike. Ai u shpreh se PD është në një rrugë qorre, ndërsa theksoi se Basha e provoi veten në 8 vite ndaj s’duhet të rikthehet në krye të partisë. Xhaferraj theksoi se duhet lidership i ri, ndërsa Berisha të japë kontributin e tij në këtë parti.

“Është një rrugë qorre që nuk të dërgon asgjëkundi, na duhet rrugë që e nxjerre opozitën si alternativë kryesore. Basha kishte të gjitha në dorë, mos të bëjmë komente për atë që kërkon të bëjë Basha sepse unë nuk merrem me iniciativa që kërkojnë të bëjnë biznes, nuk është çështje politike, por biznesi. Kam qenë jam dhe do të mbetem tek ajo ekspoze që jam munduar të ekspozoj në çdo dalje. Grupi jonë u provua më 14 maj dhe në 7 mars që nuk ishte në gjendje të transformohej në alternativë. Berisha performoi më mirë se grupi i vulës por nuk krijoi besimin që rrëzon Ramën, rruga që duhet ë ndjekim ka të bëjë me faktin se mund të luanim rolin e kontributit për të krijuar një mozaik të gjerë opozitar. Berisha të luante rol por jo në krye, edhe Basha të luante rol, por të krijohej lidership që thith energji të reja. Këto nuk janë rrugë, janë rrugica qorre që nuk provojnë asgjë përveçse kënaqen e grupeve të vogla që PD i ngriti si figura të mëdha.

Të gjithë duhet të shtyjnë në këtë drejtim për bashkimin e PD-së. Berisha duhet të ripozicionojë vetveten, në kuptimin e metaforës që kam përdor. Pa kontributin e tij përsëri nuk bëhet alternativë PD, por jo me të në krye. Basha e provoi 8 vite nuk e bëri, nuk është dramë e madhe që të bëhen pas mbrapa për ti krijuar opozitës mundësinë të bëjë hapin e madh për tu kthyer në alternativë sfiduese e pushtetit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re