Pak ditë përpara zgjedhjes së kreut të ri të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ambasadorja e SHBA në Tiranë ka bërë një reagim.

 

 

Përmes Twitter-it, Yuri Kim ka nënvizuar edhe një herë rëndësinë e procesit të zgjedhjes së kreut të ri, ndërsa shkruan se ky proces nuk duhet të ndikohet nga askush.

 

 

Ambasadorja amerikane ka konfirmuar mbështetjen e SHBA për Refromën në Drejtësi dhe se SHBA do të monitorojë nga afër procesin përzgjedhës.

 

 

“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë e favor – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.

Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara.”- shkruan Yuri Kim.

 

 

Në garë për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme janë tre emra: Altin Dumani, Edvin Kondili, dhe Andnan Xholi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re