Jorida Tabaku nuk do të jetë më nënkryetare e Partisë Demokratike, vendim ky që vjen pas disa vendimesh të tjera të kësaj force politike përgjatë mbledhjes ‘maratonë’ të Kryesisë gjatë së martës.

 

Tabaku kishte kërkuar që në krye të herës që procesi i ripërtëritjes së PD të niste që nga baza dhe gradualisht drejt lidershipit. Por, vendimi i Kryesisë ishte që më 29 korrik të zgjidhej lideri i PD, duke përshpejtuar këtë proces, sipas Tabakut.

 

Sipas saj PD duhej të garantonte një proces dinjitoz për demokratët, ndërsa thekson se nuk duhen përsëritur sërish të njëjtat gabime.

 

“Kryesia e PD mbas një mbedhje 8 orë të gjatë vendosi për të vazhduar përpara me procesin e zgjedhjeve në parti. Kërkesa ime dhe dëshira ka qenë e vetme dhe e thjeshtë, mos nxitohemi dhe t’i japim demokratëve një proces të drejtë, real dhe që na nderon.

 

Të gjithë ishim dakord për faktin që PD duhet të riorganizohet por nuk gjetëm gjuhën e përbashkët për mënyrën se si duhet të riorganizohemi. I kërkova kryesisë të mos marrim vendim të nxituar, çdo vendim i njëanshëm thjesht do të zvogëlojë edhe më shumë partinë tonë dhe nuk do ta zmadhojë atë. Në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërsim të njëjtat gabime”, deklaron ajo.

 

Tabaku thekson se Kryesia e deputetët duhet të fokusohet fillimisht tek ristrukturimi i partisë e më pas në zgjidhjen e lidershipit, ndërsa shton se do të jetë aty, ndonëse e dorëhequr, për të dhënë kontributin e saj.

 

 

“Pyetja që sot duhet t’i bëjmë vetes është nëse duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njënashme, duhet të përfshijmë këdo.

 

Me vlerësimet maksimale për deputetët dhe kontributin e tyre, kolegjit të kryetarëve dhe kontributin e tyre dhe të gjithë ato që kanë qëndruar.  I premtova anëtarëve të kryesisë që do të qëndroj deri në fund, derisa mund të gjejmë një zgjidhje që i përfshin të gjithë në process. Të mos nxitohemi!

 

Pas vendimit të kryesisë për të vazhduar procesin zgjedhor, kërkova që të gjejmë një dakordësi për mënyrën si?! Në gjykimin tim veprimet e tilla të njëanshme si në të shkuarën kanë ndikuar në zvogëlimin e PD dhe kanë sjellë në një situatë si kjo e sotmja. Prandaj refuzova të votoj për një vendim që në mendimin tim na dëmnton sot për mënyrën se si po merret dhe në kushtet në të cilat po merret!

 

Duke pasur parasysh gjithë situatën, vendosa  që të tërhiqem edhe nga pozicioni i nënkryetares së PD”, tha Tabaku.

 

Me miratimin e 17 anëtarëve të Kryesisë, PD do të  ketë një emër kryetari me 29 korrik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re