Partia Demokratike publikoi dje kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kryetar në PD-së. Sipas rregullores së siguruar nga Panorama vihet se që prej kandidatët duhet të jenë anëtarë prej 3 vitesh.
Po ashtu një tjetër kriter interesant është edhe fakti se kryetari i ri i PD-së duhet të këtë kontribuar në fushatat e partisë në 3 vitet e fundit. Kriter ky që duket se mund të paralizojë Lulzim Bashën, i cili nuk është se ka qenë shumë aktiv në fushatën për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 14 maj. Partia Demokratike do të zgjedhë me 29 korrik kreun e saj të ri.
Kriteret që kandidatët duhet të kenë ndahen në disa pika duke nisur që nga angazhimi në këtë forcë politike dhe deri tek integriteti individual i çdokujt që aspiron të drejtojë PD. Kandidatët duhet të kenë dhënë kontribut të vazhdueshëm në PD për të paktën tri vite dhe nuk duhet të kenë dëmtuar interesat e kësaj force politike për po të njëjtën periudhë kohore.
Kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë janë të ndara në 3 kategori, aftësitë e angazhimit politik; aftësitë e integriteti moral; dhe aftësitë organizative. Një nga kriteret e përcaktuara është që kandidati të mos ketë dëmtuar interesat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit. Gjithashtu kërkohet që aplikuesi duhet të jetë anëtar i kësaj force politike prej të paktën 3 vitesh, si edhe të ketë kontribuuar aktivisht në fushatat elektorale.
Data e zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së u zgjodh në mbledhjen e Kryesisë që u shoqërua me tensione dhe do të mbahet më 29 korrik. Me datën 7 qershor pas një mbledhje maratonë Kryesia e PD-së doli me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve për kreun partisë më 29 korrik. Kryesia ka vendosur afat deri më 20 qershor për dorëzimin e kandidaturave për kreun e ri të partisë, ndërsa pritet me interes nëse do të futet në garë edhe Lulzim Basha, i cili tashmë i është rikthyer politikës aktive. Ndërkohë, Kryesia u ka lënë kandidatëve rreth 1 muaj kohë për fushatën për kreun e partisë dhe më pas do të mbahen zgjedhjet. Sa i takon Kuvendit Kombëtar, duhet të mbahet brenda muajit shtator, për të bërë edhe ndryshimet statuore.
KRITERET E PLOTA PËR KANDIDATËT
I. AFTËSITË E ANGAZHIMIT POLITIK
1. Të jetë anëtar i Partisë Demokratike prej të paktën 3 vitesh;
2. Të ketë kontribuuar aktivisht në fushatat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;
3. Të mos ketë dëmtuar interesat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;
II. INTEGRITETI MORAL
1. Të ketë mbrojtur dhe promovuar në vazhdimësi interesat,
vlerat themelore dhe programin e Partisë Demokratike;
2. Të mos ketë masa disiplinore në fuqi sipas parashikimeve të
Statutit të Partisë Demokratike;
3. Të ketë figurë të pastër gjyqësore, duke plotësuar kushtet
e dekriminalizimit (sipas kërkesave të ligjit nr. 138/2015 “Për
garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen
ose ushtrojnë funksione publike”);
4. Të ketë figurë të pastër ideologjike, duke plotësuar kushtet
e dekomunistizimit (të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i
Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës
të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, funksionar i Partisë së Punës të Shqipërisë, kryetar i Gjykatës së Lartë,
Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar
i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme,
punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i
ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror
të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të
posaçme);
5. Të ketë reputacion të lartë në radhët e anëtarësisë së Partisë
Demokratike, tek partnerët ndërkombëtarë, si dhe në opinionin publik:
6. Të jetë i përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe oligarkisë, që kanë krijuar plagë të rënda shoqërore;
III. AFTËSITË ORGANIZATIVE
1. Të ketë kontribut të spikatur profesional dhe politik;
2. Të ketë demonstruar në të shkuarën aftësi të shquara organizative ose të ketë program politik për riorganizimin e Partisë në
përputhje me vlerat themelore statutore;
3. Të ketë njohje të mirë të strukturës organizative të Partisë
Demokratike.