Skip to content

Zgjedhje lokale ne Maqedonine e Veriut

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u jane drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë. Rreth 1.8 milionë votues kanë të drejtë të votojnë në 3 mijë e 474 qendra votimi për të zgjedhur kryetarët dhe këshilltarët e 80 komunave, si dhe të Qytetit të Shkupit.

Ky është raundi i parë i zgjedhjeve të tetë vendore që prej shpalljes së pavarësisë së vendit. Në garë janë 309 kandidatë për kryetar komune, të cilët përfaqësojnë parti politike, koalicione apo janë pjesë e listave të pavarura.

Sipas sondazheve të fundit, në komunat ku shumica e popullsisë është maqedonase, VMRO-DPMNE, partia në pushtet, kryeson në mbështetje, ndonëse LSDM në opozitë duket se po fiton terren.

Ndërkaq, vëmendja më e madhe është përqendruar në 15 komunat me shumicë shqiptare, ku zgjedhjet po shihen si përballje mes koalicionit qeverisës VLEN dhe koalicionit opozitar “Aleanca Kombëtare për Integrim”, i drejtuar nga BDI-ja e Ali Ahmetit. Në komunat si Tetova, Gostivari, Dibra, Struga, Kërçova dhe Kumanova, gara pritet të jetë shumë e ngushtë dhe rezultatet mund të vendosen nga një numër minimal votash.

Opozita shqiptare ka akuzuar VLEN për dështim në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve dhe për shkelje të dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit.

Lista përfundimtare e votuesve përfshin 1 milionë e 832 mijë e 415 qytetarë, ndërsa në garë janë përfshirë gjithsej 10 mijë e 490 kandidatë, duke përfshirë 576 lista për këshillat komunalë. Konkretisht, në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare, që përfaqësojnë kandidatët e pavarur. Shkupi ka numrin më të madh të kandidatëve për kryetar komune, gjithsej 16.

Në kryeqytet, votuesit do të marrin katër fletë votimi: për kryetarin dhe këshillin e komunës ku banojnë, si dhe për kryetarin dhe këshillin e Qytetit të Shkupit.

Të drejtë vote kanë gjithashtu edhe 112 mijë qytetarë të regjistruar jashtë vendit, të cilët duhet të jenë fizikisht të pranishëm në vend për të votuar.

Procesi zgjedhor po monitorohet nga gjithsej 1 mijë e 451 vëzhgues, përfshirë 807 nga organizatat vendase dhe 644 ndërkombëtarë, me qëllim të sigurojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në përputhje me standardet demokratike.