Gazetari Sokol Balla ka komentuar situatën politike në vend. Në një intervistë për Mapo Balla shpehet se 13 tetori është një iluzion i presidentit Ilir Meta, dhe se kjo datë është një ditë pushimi edhee për KQZ-në.

“Zgjedhje patëm në 30 qershor, qenë të cunguara si zgjedhje demokratike për shkak të aksionit të dështuar të Bashës. 

Kolegji Zgjedhor, organi më i lartë pa të drejtë rekursi i vendimeve për zgjedhjet e ka zgjidhur këtë dilemë. Presidenti, i cili ka nisur një rrugëtim të tij për kushedi se ku, shpalli një dekret të tretë për një palë zgjedhje dhe tani kërkon edhe zgjedhje presidenciale në një Republikë, ku kreu i shtetit zgjidhet nga parlamenti.

Nëse Gjykata Kushtetuese ngrihet para 13 tetorit dhe nëse vlerëson dekretet e Metës si kushtetuese, ndoshta kjo datë hyn në kalendar. 

Deri atëherë mbetet pjesë e iluzioneve apo deluzioneve të presidentit dhe që po ua përçon dhe disa partive të vogla, për zgjedhje në 13 tetor, një ditë pushimi edhe për KQZ. 

As Gjykata Kushtetuese nuk merr vendim deri në 13 tetor dhe askush nuk do dalë atë ditë për votime, vetëm nëse presidenca bën kuti votimi me kartona dhe cakton Tedi Blushin për të drejtuar nga Facebook-u procesin. 

Po pastaj këtu hyjmë te patologjitë klinike, unë kam mbaruar shkollën për gazetar, jo për doktor.”– tha Balla.

Ndërkohë për negociatat, Balla tha se do të hapen dhe duke ironizuar të shqetësuar për këtë janë vetëm Meta dhe blogeri Olti Curri.

“Nuk ka patur refuzim, ka patur disa herë shtyrje. Herë për fajet tona, herë për hallet e Europës. Unë mendoj se tetori është një datë optimiste për marrjen e datës për çeljen e negociatave. Kujtoj se de facto negociatat kanë filluar prej dy vjetësh, për dy kapitujt më të rëndësishëm mos gaboj, 23 dhe 24. 

Për sa u përket përgjegjësive, në raport-progres cilësohet ku është përgjegjësia e ekzekutivit dhe aty ai ka marrë vlerësimin pro hapjes. 

Kur vjen puna te Shqipëria, sigurisht përgjegjësi kanë të gjithë, por me kaq herë sa po na e shtyjnë këtë punë, pak rëndësi ka kush e ka përgjegjësinë, të vetmit të shqetësuar duken Ilir Meta dhe Olti Curri.”- u shpreh Balla. ()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re