Dy ish-kryeministrat e Pakistanit dhe liderët e dy partive më me ndikim të vendit, Imran Khan dhe Nawaz Sharif, kanë shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 8 shkurt.

Të dhënat e komisionit zgjedhor tregojnë se kandidatët e pavarur të mbështetur nga Khan fituan 93 vende parlamentare, Lidhja Muslimane e Pakistanit (PMLN) e Nawaz Sharifit 71 vende dhe Partia Popullore e Pakistanit (PPP) 53 vende.

Për një shumicë parlamentare kërkohen 169 mandate, ndaj është e sigurt se asnjë parti nuk do të mund të formojë qeverinë e pavarur.

Imran Khan, lideri i Tehrik-e-Insaf (PTI) pakistanez njoftoi dje fitoren e tij në zgjedhje përmes një mesazhi audio-vizual të bërë me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) nga burgu, ku ai po mbahet për zbulimin e sekreteve shtetërore dhe korrupsionit.

Ai hodhi poshtë pretendimin e rivalit të tij, ish-kryeministrit Sharif, se partia e tij kishte fituar, raporton Reuters.

Dyshimi për parregullsi zgjedhore

Sharif njoftoi se partia e tij kishte fituar, por nuk tha se sa vende kishte fituar.

Udhëheqja e partisë së Khan u përgjigj se Sharif nuk kishte të drejtë të shpallte fitoren ose të formonte një qeveri, duke vënë në dukje akuzat e përhapura për manipulime zgjedhore në favor të kandidatëve të PMLN-së, raportoi The Guardian.

Gazeta thotë se dy persona u vranë në protestat kundër mashtrimit të pretenduar të zgjedhjeve lokale dhe shton se mbështetësit e partisë së Khan kanë dalë në rrugë në Lahore dhe se janë planifikuar të tjera protesta në të gjithë vendin për parregullsi të supozuara zgjedhore.

Pasi SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për procesin zgjedhor në Pakistan, duke kërkuar një hetim për parregullsitë zgjedhore, Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit tha se “komentet e disa vendeve dhe organizatave kanë injoruar faktin e pamohueshëm se Pakistani është mbajti zgjedhje në mënyrë paqësore dhe të suksesshme, ndërkohë që përballet me kërcënime sigurie”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re