I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.

“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat [komunale], Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth këtyre ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen”.

“Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte”, tha ai.

Escobar i bëri komentet për gazetarët në Beograd, ku udhëtoi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Një ditë më herët, dy diplomatët qëndruan në Prishtinë.

Udhëtimi i tyre vjen në kohën e tensioneve të larta në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kriza atje, që u përshkallëzua në dhunë, nisi më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Derisa protestat vazhdojnë ende, Escobar dhe Lajçak dolën me tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti: shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kurti nuk dha asnjë shenjë se i ka pranuar këto kërkesa dhe për tensionet në veri fajësoi “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për të cilat tha se duhet të tërhiqen.

Escobar, i cili një ditë më herët e kritikoi ashpër Kurtin për “mungesë bashkëpunimi” në shtensionimin e situatës, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar atë se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për ta bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të merrte pjesë në zgjedhjet eventuale.

Serbët, pas thirrjeve të Beogradit, i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë të komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

“Sfida më e madhe për Serbinë tani është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]”, tha Escobar.

“Kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serebinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur”, tha zyrtari i lartë amerikan.

I pyetur nga gazetarët nëse ka ndonjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me propozimin evropian për shtensionimin e situatës në veri, Escobar tha se diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe Lajçakut do të vazhdojnë edhe pas largimit të këtij të fundit sot nga Beogradi.

“Nuk e di nëse ka pasur ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës. Shpresoj se Qeveria e Kosovës e kupton se ajo që ne po përpiqemi të arrijmë, është një rezultat i qëndrueshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dyja vendet”, tha Escobar, duke shtuar se nuk i ka dhënë ndonjë afat Kurtit.

Ai theksoi se partneriteti i SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën “është i hapur”. Por, nëse Qeveria e Kosovës, shtoi ai, merr hapa të njëanshëm dhe largohet nga partneriteti me komunitetin transatlantik, “kjo vetvetiu është një pasojë”.

Escobar tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij, do t’ia kthenin shpinën Evropës”.

Ai theksoi se SHBA-ja është e përkushtuar që ta ndihmojë edhe Kosovën, edhe Serbinë që ta zgjidhin këtë krizë në një mënyrë që përfitojnë të dyja palët.

Escobar përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës.

“Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo meqeverinë e ardhshme”, tha Escobar.

Sipas tij, të dyja palët – Kosova dhe Serbia – duhet të përqendroren në planin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve dhe të ecin përpara me Asociacionin.

“Unë ende mendoj se mund t’i kemi të gjitha elementët, shumicën e elementeve, të realizuara këtë vit kalendarik”, tha Escobar.

I pyetur nëse sheh ndonjë ndikim të Rusisë në këtë situatë, ai tha se Rusia përfiton nga përçarjet brenda Evropës dhe se ajo nuk është e interesuar të shohë zgjerim të Bashkimit Evropian.

“Ajo që po ndodh tani në Kosovë, është një problem i pazgjidhur prej kohësh mes grupeve të ndryshme. Ai ka ekzistuar para krizës aktuale në Ukrainë, por kriza në Ukrainë e bën më të rëndësishëm për t’u zgjidhur. Por, [problemi] nuk gjeneron tërësisht nga Rusia”, tha Escobar./R.E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re