Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, u shfaq dje në krah të kandidatit të Sali Berishës në Vaun e Dejës Zef Hila, duke braktisur kandidaturën e Enkelejd Alibeajt, atë të Klomentina Drini.
Sipas tij interesi më i mirë i demokratëve ishte që të kishin një kandidat dhe të fitonin bashkinë. “Ndryshe nga çdo bashki tjetër ku Kryesia ka miratuar një kandidat, unë respektoj vendimin, pavarësisht se kam votuar të mos ketë kandidat. Në rastin e Vaut të Dejës, situata është e ndryshme, sepse Kryesia ka votuar që të mos ketë kandidat të dytë. Interesi më i mirë i demokratëve ishte që të kishim një kandidat dhe demokratët të fitonin bashkinë”, u shpreh Bardhi.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Bardhi shprehet se presioni nga bandat në pushtet kërkon unifikimin e çdo opozitari rreth një kandidati të vetëm, për të mposhtur të keqen dhe për të bërë realitet ndryshimin. Ai shtoi se 14 Maj është dita që Bashkia e Vaut të Dejës të çlirohet nga pengmarrja e Edi Ramës dhe ortakut të tij, Tom Doshi, për t’iu rikthyer punëve të mira të lëna pezull që në 2019.
“Në takimin me Kryesinë e Degës Vau i Dejës i shpreha gjithë mirëkuptimin dhe mbështetjen time për qëndrimin lidhur me zgjedhjet e 14 Majit. Situata e krijuar dhe presioni nga bandat në pushtet kërkon unifikimin e çdo opozitari rreth një kandidati të vetëm, për të mposhtur të keqen dhe për të bërë realitet ndryshimin. PD ka paraqitur një listë të shkëlqyer për Këshillin Bashkiak të Vaut të Dejës, me gra e burra, djem e vajza që e duan Vaun e Dejës dhe qytetarët e tij. Lista kryesohet nga z. Gjon Marku, ish-kryetar bashkie, një personalitet i zonës dhe administrator lokal me integritet dhe profesionalizëm. Së bashku me ekipin e kandidatëve për këshilltarë të PD ndamë qëndrimin e përbashkët se për 4 vjet Bashkia e Vaut të Dejës është marrë peng nga Tom Doshi, ortaku politik i Edi Ramës. 14 Maj është dita që Bashkia e Vaut të Dejës të çlirohet nga pengmarrja e Edi Ramës dhe ortakut të tij, për t’iu rikthyer punëve të mira të lëna pezull që në 2019″, shprehet deputeti demokrat Gazmend Bardhi.
Kurse Enkelejd Alibeaj, prezantoi dje kandidatin për kryetar bashkie në Sarandë, Skënder Muço. Ai nuk i kurseu akuzat për drejtimin socialist të kësaj bashkie.
“Saranda në fakt është një përngjasim i asaj se çfarë në Tiranë ndodh. E mjafton ta shohësh Sarandën sot, Sarandën e betonizuar, Sarandën e asfiksuar, për të parë qe nuk është zgjidhur një nga problemet më të mëdha që është ai i pronave. Për të parë sot Sarandën që është kthyer sot në një gjah, ku gjahtarët e krimit dhe të korrupsionit shkëpusin dhe gllabërojnë nga një copë, pak nga pak. Majtas edhe djathtas. Kjo është gjendja, një nga bashkitë në të cilën do të kishte një menaxhim me të mire, një menaxhim njerëzor, do të duhet të mburrej jo vetëm ekonomikisht, por dhe në aspektin e turizmit e gjithë Shqipëria. Saranda fatkeqësisht është kthyer në një gjah, ku paraja e pistë, paraja e korrupsionit, babëzia e politikës i është turrur dhe vetëm e copëton dhe e gllabëron”, tha ai.
