Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 Majit. Ai theksoi nga Korça në një konferencë me gazetarët se ky është një detyrim patriotik për të frenuar këtë tendencë serioze të largimit të qytetarëve nga vendi.

“I ftoj të gjithë qytetarët të përmbushin detyrimin e tyre patriotik duke marrë pjesë në këto zgjedhje për të frenuar këtë tendencë shumë serioze të largimit dhe shpopullimit të vendit. Kjo është detyra e qytetarëve. Ata duhet të shkojnë të votojnë. Njerëzit kanë dhënë jetën dhe nuk e kanë gëzuar dot votën. Të mos shkosh të votosh do të thotë nesër nuk ke të drejtë ku të ankohesh.

Nuk mendojmë kurrsesi se qytetarët e Korçës dhe Shqipërisë do bien viktimë e kësaj politike të rilindjes e cila ka politika shpresë vrasëse dhe ka dhënë rezultat e saj në vitet e fundit në mënyrë shumë të qartë. Jam i bindur që qytetarët do e ndëshkojnë edhe për intimidimet e administratës”, deklaroi Ilir Meta.

Ai u zotua se pas zgjedhjeve të 14 Majit taksat e qytetarëve nuk do të shpërdorohen më. “Pas 14 Majit taksat e qytetarëve nuk do shpërdorohen më. Është shumë e rëndësishme që ne kemi modelin për uljen e taksave vendore. Që të krijojmë një mjedis sa më miqësor për biznesin”, u shpreh kreu PL.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re