Skip to content

“Zgjedhjet e 14 Majit si ato të vitit 2001”- Bylykbashi flet për raportin e ODIHR: Gjetjet “e zeza”, flasin për sistemin e Ramës. Si i kontrollojnë njerëzit para se të votojnë

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka komentuar raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 14 Majit.

Sipas Bylykbashit, ky raport mund të krahasohet vetëm me atë të vitit 2001.

Ai shton se në këtë mënyrë, “Edi Rama, në këtë dekadë ka bërë të mundur që zgjedhjet në Shqipëri, standardi i tyre të kthehet mbrapsht më shumë se 20 vite.”

Ndër të tjera, deputeti thotë se ky raport përmes rekomandimeve përshkruan “një mekanizëm që ka ngritur Edi Rama: sistemin e kontrollit të zgjedhësve përpara se të votojnë.”

Oerd Bylykbashi: Raporti përfundimtar i ODIHR për zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023, ka një krahasim vetëm me zgjedhjet e vitit 2001.

Me një fjali të thjeshtë, Edi Rama, qeveria që ka për detyrë të garantojë një ambient të përshtatshëm për zgjedhjet demokratike, në këtë dekadë ka bërë të mundur që zgjedhjet në Shqipëri, standardi i tyre të kthehet mbrapsht më shumë se 20 vite.

Është e paprecedent në një raport të ODIHR në 20 vitet e fundit, ku herët e tjera ishte bërja e reformës zgjedhore konsensuale, për herë të parë kemi një rekomandim që nënvizon zbatimin e ligjit duket hetuar dhe ndëshkuar krimet zgjedhore.

Në mënyrë specifike, raporti thotë se organet ligjzbatuese duhet të identifikojnë dhe të hetojnë në mënyrë të pavarur akuzat për shkeljet zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, presionin mbi zgjedhësit, abuzimin me burimet shtetërore dhe kjo të bëhet në kohë dhe mënyrë të detajuar.

Rekomandimi i dytë prioritar e vë theksin te shitblerja e votës në mënyrë të posaçme, që cenon integritetin e zgjedhjeve.

Këtu dua të theksoj se për herë të parë, një rekomandim i ODIHR për shitblerjen e votave ka dalë në vitin 2015, në zgjedhjet e para të bëra nga Edi Rama.

Rekomandimi prioritar numër tre flet fare qartë se është cenuar sekreti i votës. Raporti jep dimensione dhe mekanizma të ndryshme të përdorur për cenimin e sekretit. Cenimi i sekretit është i lidhur drejtpërdrejt me lirinë e votës.

Presioni i ushtruar është rekomandimi tjetër, i cili thotë se janë abuzuar burimet shtetërore duke krijuar fushë të pabarabartë loje në zgjedhje.

Raporti konstaton pengimin e PD-së si forca kryesore e opozitës për të garuar me identitetin e saj, duke përdorur instrumentet gjyqësore për të vonuar këtë proces.

Raporti thotë se rrëmuja zgjedhore që krijoi qeveria duke postuar 1.3 milionë zgjedhës pa i njoftuar, ka çuar në një rekord të paprecedent, ku 30 përqind e zgjedhësve nuk janë lejuar për të votuar.

Ky raport, në mënyrë fare të qartë, nëpërmjet rekomandimeve therëse dhe gjetjeve të zeza, na përshkruan një mekanizëm që ka ngritur Edi Rama: sistemin e kontrollit të zgjedhësve përpara se të votojnë.

Pra, jemi përpara një panorame shumë të errët në lidhje me cilësinë e zgjedhjeve.

Ky dokument do jetë në duart e të gjitha kancelarive dhe do jetë shtrati i një pjese të betejës sonë politike dhe i asaj që duhet të bëjmë për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme të mos bien në këtë kornizë që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“”