Kolegji Zgjedhor po shqyrton padinë e PD ndaj KAS në lidhje me fletën e votimit për zgjedhjet e 25 prillit.
Në padi, PD kërkon që të përfshihen emrat e kandidatëve për deputetë në fletën e votimit, ndërsa ankesa e dytë lidhet me përplasjen e logos me partinë “Bindja Demokratike”.
Më parë, Komisioni i Ankesave pranoi ankimin e Partisë Socialiste dhe hoqi emrat e kandidatëve nga fleta e votimit duke vendosur që ata të identifikohen vetëm me numra. Vendimi i KAS u parapri nga debatet e përfaqësuesve politik të PS dhe PD-së.
“Çështja e fletës së votimit ndikon drejtpërdrejt tek zgjedhjet, dhe listën e kandidatëve. Meqenëse nuk ka kërkime të tjera, nga padia që kemi ngritur, vlerësojmë që kërkesa i plotëson kriteret e ligjit për t’u pranuar nga ana e Gjykatës”– tha Ivi Kaso.
Fjala e fundit i takon gjykatës zgjedhore e cila duhet të shprehet për këtë fletë votimit, ku zgjedhësit krahas numrit të subjektit politik do duhet të përzgjedhin edhe një numër tjetër, prapa së cilit fshihet kandidati i tyre i preferuar.