Koncerti me muzikë me pjesëmarrjen e këngëtarëve me famë si Anxhela Peristeri e Valbona Mema ishte lajmëruar nga kandidati Albert Halilaj nëpërmjet faqes së tij zyrtare në Facebook, ku ftonte qytetarët “në takimin përmbyllës elektoral” shoqëruar me posterin e koncertit.

Në posterin me fotot e këngëtarëve shkruhej se koncerti ishte në mbështetje të kandidatit Halilaj.

Ai më vonë e fshiu postimin pak para mbledhjes së thirrur nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, për të shqyrtuar një kërkesë të organizatës “Qendresa Qytetare” për anulimin e koncertit.

Halilaj, si dhe PS-ja, i dërguan email KQZ-së duke përjashtuar veten si organizatorë të tij. Në këto kushte Celibashi e pushoi shqyrtimin e çështjes.

Gjithsesi, monitoruesit e “Qendresës Qytetare” verifikuan në terren se koncerti u mbajt në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin shesh, ku kandidati Halilaj dhe përfaqësuesit e PS-së, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e i deleguari i qarkut Pandeli Majko, mbajtën fjalimet politike.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës “Qendresa Qytetare”, Rigels Xhemollari, i tha BIRN se kjo organizatë ka depozituar një kallëzim të enjten në KQZ, ku kërkon marrjen e masave administrative ndaj kandidatit dhe subjektit zgjedhor për shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor.

“Tubimet ishin në dy pjesë të ndryshme të sheshit, sapo mbaruan fjalimet, nisi muzika”- tha Xhemollari.

Ky aktivitet, sipas tij, vjen në kundërshtim me pikën 9, të nenit 78, të Kodit Zgjedhor që përcakton të drejtat dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore gjatë fushatës, sikundërse rezulton edhe nga posteri që është shpërndarë në rrjetet sociale nga vetë kandidati për Kryetar Bashkie.

“Nëse gjatë procesit hetimor del se pagesat e këngëtarëve janë bërë nga bashkia apo nga një i tretë, do të kërkohet dhe transparenca financiare e këtij aktiviteti”- shtoi Xhemollari.

Kodi Zgjedhor është i qartë në këtë drejtim duke ndaluar në mënyrë kategorike koncertet e organizuara nga dhe/ose për subjektet zgjedhore, pavarësisht burimit të financimit.

Zgjedhjet e parakohshme në qytetin verior do të mbahen me 24 shtator për të zëvendësuar kryebashkiakun e shkarkuar, Safet Gjici, vetëm pak javë pasi ishte rizgjedhur për një mandat të dytë nën siglën e Partisë Socialiste.

Gjici u shkarkua nga Këshilli i Ministrave në qershor pas publikimit të një videoje që e ekspozonte duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrë. Ai u arrestua pak ditë më vonë me akuzën e “korrupsionit pasiv”./BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re