Skip to content

Zgjedhjet izraelite: a do ta ndihmojë Netanyahun mbështetja e Trump?

1792493045 trump netanyahu 2025

Mbështetja e hapur e Donald Trumpit për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në prag të zgjedhjeve të 27 tetorit, mund të mos japë efektin e pritur.

Ndryshe nga rastet e mëparshme, kur presidentët amerikanë kanë ndikuar ndjeshëm në politikën izraelite, këtë herë ndërhyrja e Trumpit mund të ketë një ndikim më të kufizuar.

Marrëdhëniet mes dy liderëve kanë qenë të luhatshme gjatë muajve të fundit, ndërsa imazhi i presidentit amerikan në Izrael ka ndryshuar.

Mosmarrëveshjet për objektivat e luftës kundër Iranit, së bashku me përplasjet publike dhe fyerjet e ndërsjella, kanë zbehur besueshmërinë e lavdërimeve të fundit të Trumpit për Netanyahun.

Presidenti amerikan, shkoi deri aty sa ta cilësonte kryeministrin izraelit si “të çmendur” dhe të mburrej se i jepte urdhra.

Ndikimi i Trumpit në politikën izraelite mbështetet kryesisht te ajo që ai mund të ofrojë: ndihma ushtarake amerikane, thelbësore për sigurinë e Izraelit.

Në mesazhin e tij në mbështetje të Netanyahut, Trump paralajmëroi se, nëse Izraeli do të kishte një udhëheqës tjetër, Shtetet e Bashkuara mund të ngurronin ta “përfundonin punën” kundër Iranit.

Kjo është një çështje e ndjeshme, pasi asnjë nga partitë izraelite nuk i kundërshton luftërat dhe militarizmin e Netanyahut.

Për këtë arsye, opozita e ka trajtuar me kujdes ndërhyrjen e Trump, duke e kthyer atë kundër kryeministrit. Sipas saj, Netanyahu ose ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin më të fuqishëm të vendit, ose është bërë tepër i varur prej tij.

Ish-kryeministri centrist Yair Lapid deklaroi se, në vend që ta bindte Trump të sulmonte Iranin, Netanyahu i ishte lutur të publikonte një mesazh në mbështetje të tij para zgjedhjeve.

Edhe gjenerali Gadi Eisenkot, një nga rivalët kryesorë të kryeministrit, e falënderoi Trump për ndihmën ushtarake, por theksoi se Uashingtoni do të bashkëpunojë me cilëndo qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Edhe mediat izraelite e shohin me skepticizëm efektin e mbështetjes amerikane. Pyetja kryesore është nëse ajo mund ta ndihmojë Netanyahun të kapërcejë disavantazhin elektoral, pasi koalicioni i tij i së djathtës ekstreme vazhdon të parashikohet nën kufirin e shumicës parlamentare.

Besimi dhe admirimi për Trump në Izrael kanë rënë në nivele të ulëta, veçanërisht për shkak të mënyrës së paqëndrueshme se si ai ka menaxhuar negociatat me Iranin, ultimatumat e njëpasnjëshme dhe deklaratat triumfaliste për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Objektivi izraelit për ta neutralizuar Iranin, edhe me koston e destabilizimit të Lindjes së Mesme, nuk përputhet me gatishmërinë e Trumpit për të bërë lëshime ndaj Teheranit.

Gazeta “Jerusalem Post” vlerësoi se Trumpi mbetet një figurë me peshë në fushatën zgjedhore, pasi ndërhyrja e tij ndikoi në debatin publik. Sipas “Times of Israel”, efekti kryesor ishte zhvendosja, qoftë edhe për disa orë, e vëmendjes nga problemet e brendshme të Netanyahut drejt politikës së jashtme dhe luftërave.

Ndërkohë, gazeta “Yediot Aharonot” raportoi se administrata Trump mund t’i ketë kërkuar qeverisë izraelite të shmangë operacionet e bujshme ushtarake deri në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, më 3 nëntor.

Në përgjithësi, mbështetja e Trump pritet të ketë më shumë ndikim te votuesit e së djathtës radikale, të cilët ka gjasa ta mbështesnin Netanyahun edhe pa ndërhyrjen amerikane. Për më tepër, qëndrimet e paqëndrueshme të presidentit amerikan janë të njohura.

Vetëm pak ditë para mesazhit të tij, Trump deklaronte në një intervistë televizive se nuk mund t’i zinte besë Netanyahut. Më pas la të kuptohej se mund të bashkëpunonte edhe me një udhëheqës tjetër izraelit, duke shtuar: “Kush dëshiron ta marrë këtë rrezik?”

As presioni përmes ndihmës ushtarake nuk duket se do të ketë efekt vendimtar. Trumpit i kanë mbetur dy vjet në Shtëpinë e Bardhë dhe figura të tjera të administratës së tij, përfshirë zëvendëspresidentin J.D.Vance, kanë shmangur shprehjen e mbështetjes për Netanyahun.

Sipas burimeve të “Haaretz”, rrethi i kryeministrit kishte kohë që punonte për të siguruar mbështetjen e Trumpit, por nuk priste se do t’ia dilte.

Paradoksalisht, vetëm pak orë para mesazhit të presidentit amerikan, Netanyahu kishte deklaruar se Izraeli duhej të diversifikonte aleancat tradicionale, duke iu afruar vendeve si India dhe shtetet e Amerikës Latine.

Kjo nuk është hera e parë që Trump i vjen në ndihmë Netanyahut. Në vitin 2013, përpara se të hynte në politikë, ai publikoi një video në mbështetje të kryeministrit izraelit.

Në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë presidencial, njohu sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e Golanit, pak para zgjedhjeve izraelite.

Një vit më parë, i kërkoi publikisht presidentit izraelit Isaac Herzog t’i jepte falje Netanyahut, i cili përballet me një proces gjyqësor për mashtrim dhe korrupsion, çështje që mund t’i japë fund karrierës së tij politike.

Megjithatë, këtë herë mbështetja e Trumpit mund të mos mjaftojë për ta shpëtuar Netanyahun nga vështirësitë elektorale. Marrëdhëniet e tensionuara mes tyre dhe rënia e popullaritetit të presidentit amerikan në Izrael e bëjnë të pasigurt rezultatin e kësaj ndërhyrjeje.

Continue Reading